“Luftën nuk e kam fituar me pasaportë jugosllave”
Rudi Vata iu përgjigj ashpër Mërgim Mavrajt pas reagimit të këtij të fundit në rrjetet sociale me një foto ku theksonte se njeh vetëm Fatmir Vatën. Ish-kapiteni i Kombëtares, në një bisedë për "Panorama Sport", i kujton mbrojtësit kuqezi se nuk e njeh historinë dhe se qëndrimi i tij në skuadër është vetëm humbje kohe. "Personalisht mundohem që njerëzit të mos i ofendoj dhe mos t'i injoroj. Mund të ketë shumë njerëz që nuk i pëlqej, por të paktën nuk mundohem t'i ofendoj. E kuptoj momentin e vështirë që po kalon Mavraj, sepse ka dy vite që nuk luan. Unë faktikisht këtë lojtar e kam mbështetur kur ka qenë në ditët e tij më të mira, por tani ka ardhur një moment që prania e tij në ekipin kombëtar është humbje kohe. E them këtë, sepse Kombëtarja jonë është në krizë totale dhe ka nevojë për një rifreskim. Duke qenë se duhet një rikompozim total, një prej lojtarëve që i ka kilometrat e mbaruara është Mavraj. Sinqerisht, nuk dua të më njohë fare, por dashje pa dashje ai mua më njeh, sepse jam shqiptar dhe kapiten i Kombëtares shumë kohë përpara tij, madje në periudhën më të vështirë. Kam dalë jashtë shtetit si një burrë i fortë dhe patriot, duke fituar të drejtën time në Europë përmes luftës së sakrificave. E kam fituar këtë luftë me pasaportë shqiptare dhe jo me pasaportë jugosllave. Jam arratisur drejt Francës me pasaportë shqiptare dhe kam përfaqësuar kombin tim si i miri i të mirëve. Nëse Mërgimi nuk e njeh historinë e shqiptarëve të suksesshëm, atëherë nuk është problemi im, por injoranca e tij. Shqiptari i parë i suksesshëm që ka fituar një trofe në vitin 1995 në Europë jam unë. Nuk është faji im që injoranca karakterizon Mërgimin", ka thënë Vata një ditë më parë.