Myler e Rakitiç në orbitën kuqezi, paguan Donaruma
Boban duhet ta bindë bashkëkombësin, gati 35 milionë euro
Mes shumë kon tratave që duhet të rinovohen, është edhe ajo e Xhanluixhi Donarumës. Portieri përbën prioritet për Milanin, sidomos edhe për shkak të një shitjeje të mundshme, e cila do të ishte një “kartë” për t’u luajtur gjatë verës së ardhshme, nëse Milani do të kualifikohet në Kupat e Europës. Kuqezinjtë kërkojnë të rinovojnë kontratën me gardianin e tyre deri në vitin 2024, teksa kërkojnë t’ia ulin rrogën nga 6 në 4 milionë euro në sezon. Shpeshherë drejtuesit e Milanit janë shprehur se Donaruma është e ardhmja e ekipit dhe mosha e re nuk e ka penguar 20-vjeçarin të jetë një lider i ekipit. Agjenti i lojtarit thuhet se do të presë përfundimin e sezonit për të parë gjendjen e kuqezinjve dhe më pas të vendosë për të ardhmen e klientit të tij, por më këtë projekt “skontoje” kuqezinjtë po luajnë me zjarrin dhe rrezikojnë ta humbasin Xhixhon, i cili mund të sakrifikohet për të rregulluar bilancet ose për të investuar në përforcimin e skuadrës.
KURSIM DHE... MERKATO - Fondi “Elliott” ka miratuar një rritje buxheti prej 80 milionë eurosh dhe së bashku me kursimin në rrogën e Donarumës (16 milionë euro për 4 vite përfshirë taksat), shuma kap thuajse 100 milionë euro. Një pjesë e saj mund të përdoret për Ivan Rakitiçin. Kroati ka përfunduar jashtë planeve të Valverdes dhe në janar mund të largohet nga Barcelona për 35 milionë euro. 31-vjeçari mund të mbulojë të gjitha rolet e mesit të fushë dhe Milani mund të përbëjë një destinacion interesant, duke qenë se lojtari nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të provuar një përvojë në Serinë A, aq më tepër që në oborret e “Djallit” do të gjente edhe një mik si Ante Rebiç. Përveç sulmuesit, kuqezinjtë mund të përdorin Zvonimir Bobanin si “shkes” për të organizuar një operacion që do të përforconte skuadrën me një element tek i cili mishërohet cilësia dhe përvoja, pikërisht çka u mungon më së shumti kuqezinjve në këtë fillim sezoni. Objektivi tjetër mban emrin e Tomas Mylerit. Sulmuesi nuk preferohet nga Niko Kovaçi dhe mund të provojë eksperiencën italiane, pasi në Gjermani ka fituar gjithçka me Bajernin e Mynihut.