Jonuz fton Etonë dhe Solarin në Shkodër
Pritet një bashkëpunim me Akademinë "Aspire"
Trajneri Mirsad Jonuz ka dy ditë që është vënë sërish në krye të ekipit, duke vijuar me të përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë që do të luajë fundjavën tjetër me Partizanin në Shkodër. Tekniku kuqeblu ka marrë pjesë në një seminar shumë të rëndësishëm që është zhvilluar në Doha të Katarit ku kanë qenë të pranishëm edhe emra shumë të njohur specialistësh e trajnerësh nga e mbarë bota dhe po ashtu edhe përfaqësues të federatave të ndryshme. Jonuz ka qenë i ftuar nga drejtues të Akademisë "Aspire", që e ka organizuar një seminar të tillë dhe gjatë tri ditëve të zhvillimit të tij, ai ka pasur shumë kontakte edhe me personalitete të ndryshme të futbollit botëror. Tekniku ka qenë i autorizuar nga klubi i futbollit Vllaznia për të biseduar dhe gjetur ura bashkëpunimi me klube të ndryshme. Nga sa ka bërë të ditur, vetë ai pas kthimit në Shkodër ka pasur biseda edhe me personalitete të tilla të futbollit si Samuel Eto dhe Santiago Solari, të cilët madje i ka ftuar që në një të ardhme të afërt të jenë në Shkodër dhe ftesa është mirëpritur nga ana e tyre dhe është lënë që bisedohet sërish në të ardhmen për detaje të tjera. Po ashtu, një ftesë i është bërë edhe zëvendëspresidentit të Akademisë "Aspire" të Dohas, Tarik Aziz, një prej më të mëdhave në botë, për të bashkëpunuar me Vllazninë dhe ai po ashtu e ka mirëpritur një ftesë të tillë. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e trajnerit Jonuz në këtë seminar shumë të rëndësishëm botëror, duket se ia ka vlejtur, jo vetën në aspektin personal, por edhe për klubin shkodran që mund të ketë përfitime bashkëpunimesh në të ardhmen me të tilla klube e Akademi shumë të njohura.