Ramos një legjendë, sot Kasijas zbret nga froni
I paprekshëm për çdo trajner, Spanja nuk bën dot pa të
Serxho Ramos është historia e gjallë e ko mbëtares spanjolle të futbollit. Mbrëmjen e sotme do të lërë pas Iker Kasijasin dhe 167 ndeshjet e tij me kombëtaren, i cili mban vendin e parë në listë. Kapiteni do të thyejë rekordin që mban portieri i Portos dhe qëllimi i tij është të mos ndalet, por të vazhdojë të thyejë rekorde të tjera. Nuk vë limite dhe bën mirë, sepse ambiciet dhe gjendja fizike e tij ia lejojnë gjithçka. Mbrojtësi bëri debutimin me kombëtaren në 26 marsin e vitit 2005, në një ndeshje miqësore kundër Kinës. Nga ai moment kanë kaluar 4 Botërorë dhe 3 Europianë, ku ai ka fituar 2 Europianë dhe një Botëror. 21 gola të shënuar, 125 fitore dhe vetëm 20 humbje. Këto janë statistikat e tij me “furinë e kuqe”.
I PAPREKSHËM - Luis Aragones i dha shansin, pasi ai fitoi Europianin e 19vjeçarëve në vitin 2004 dhe luajti 6 ndeshje me kombëtaren U-21. Pastaj erdhi Visente Del Boske, Lopetegui, Enrike dhe trajneri aktual Robert Moreno. Aragones e aktivizonte si mbrojtës krahu, derisa Ramos u spostua në qendër për të marrë vendin e tij të përhershëm. Del Boske e vlerësonte maksimalisht. “Bëhet fjalë për një mbrojtës krahu të shkëlqyer, por që logjikisht mund të luajë edhe në qendër. Që kur ishte i ri e kuptova që do të qëndronte për shumë vite me ne. Ka entuziazëm dhe nuk do të jetë kurrë një problem për ne”, tha Del Boske. Ky i fundit ishte trajneri i parë që aktivizoi dyshen Ramos-Pike, të cilët ishin të rëndësishëm në historinë e futbollit spanjoll. Të gjithë trajnerët e vlerësonin dhe nuk hoqën dorë kurrë nga Serxho Ramos. Ai ishte i paprekshmi në formacionin bazë të Spanjës, por jo për emrin që kishte. Ai e meritonte me performancat e shkëlqyera, qetësinë që u përcillte shokëve të skuadrës dhe rëndësinë që kishte në fushën e lojës. Gjithmonë ka pasur pikëpyetje në vitet e fundit për lojtarët që do të zbresin në fushën e lojës përkrah tij, por Ramos kurrë nuk është vënë në pikëpyetje. Ai ka qenë një shtyllë e fortë, ku janë mbështetur të gjithë. Ramos nuk bën vetëm detyrat në mbrojtje, por është shndërruar në një golashënues dhe “vrasës” nga pika e bardhë e penalltisë.