Anglia luan “tenis” mes racizmit bullgar
Kosova e shtyn festën e kualifikimit në Europian për "tre luanët"
Ndodh gjithçka në Bullgari-Angli, por kronika e zezë mbizotëron ndaj asaj sportive. Jashtë "Vasil Levskit" humb jetën një tifoz anglez 32 vjeç. Brenda lajm përbën racizmi nga ana e tifozëve bullgarë ndaj futbollistëve me ngjyrë të "tre luanëve", Rahim Sterlingut në veçanti.
TRAGJEDIA - Po e nisim nga vdekja e tifozit. Sepse, për momentin, rrethanat nuk janë zbardhur ende. I riu u gjet në "Borisova Gradina" (një prej parqeve të qytetit) në gjendje gjysmë të vetëdijshme. Ai u transportua në spital, atje ku mësohet se është bërë i dhunshëm ndaj stafit mjekësor, edhe për shkak se dyshohet se ka konsumuar alkool dhe drogë. Ndërhynë forcat e rendit dhe ai vdiq. Hetimet do ta zbardhin të vërtetën.
RACIZËM - Në Sofje, Anglia kërkonte tri pikë të rëndësishme për të siguruar biletën e kualifikimit që ia shtyu Çekia në prag të premten. Por një dorë duhet t'ua jepte edhe Mali i Zi, në rast se do të kishte penguar Kosovën që të fitonte në Prishtinë. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Në Bullgari, miqtë fituan një ndeshje stërvitore pa probleme. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 04 falë golave të Rashfordit, Barklejt (dopietë) dhe Sterlingut. Pikërisht sulmuesi i Mançester Sitit ishte shënjestra kryesore e tifozëve vendës. Arbitri Babek e ndërpreu dy herë ndeshjen dhe
pas gjysmë ore, altoparlanti i stadiumit dha paralajmërimin e parë sipas protokollit të UEFA-s në të tilla raste. Kapiteni bullgar Ivelin Popov shkoi për të folur me ultrasit, të cilët gjatë 45 minutave të para bënë më shumë se një herë përshëndetjet
naziste, të veshur me bluza me moton e UEFA-s "Respect", të modifikuar në mënyrë të turpshme në "No Respect". Pas ndeshjes, Federata Angleze dënoi abuzimin: "Mund t'ju konfirmojmë se futbollistët e Anglisë u abuzuan me thirrje raciste gjatë ndeshjes kundër
Bullgarisë. Kjo është e papranueshme në çdo nivel loje dhe fokusi ynë urgjent do të jetë mbështetja e lojtarëve dhe stafit të përfshirë. Kjo nuk është hera e parë që lojtarët tanë bëhen shënjestër e abuzimit. Do t'i kërkojmë UEFA-s që ta hetojë çështjen me urgjencë".