Panorama Sport (Albania)

Kampionat që "ha" trajnerë, Mikel Canka për rekorde

-

Thuajse çdo javë në Kategorinë e Parë ka një trajner të larguar. I fundit është Ndriçim Kashami, i cili ka ndërprerë bashkëpuni­min me "konsensus" pas barazimit me Erzenin. Dhe nuk është se situata te rrogozhina­sit ishte aq kritike sa për të ndryshuar trajnerin, pasi kjo skuadër ka 8 pikë pas këtyre 6 javëve dhe mban vendin e 5-të. "Është çështje mentalitet­i, e duan Superioren që në javën e tretë", është shprehur një nga trajnerët e shkarkuar në këto javë të para nga skuadrat e së Parës. Deri në këtë moment janë larguar Gentian Begeja nga Erzeni, Gentian Stojku nga Burreli, Igli Allmuça nga Dinamo, Artan Sakaj nga Oriku, si dhe Vladimir Gjoni e Festim Fetollari para se në niste kampionati. Bashkë me Kashamin, bëhen 7 trajnerë të larguar dhe për këtë periudhë të shkurtër mund të jetë një rekord. Dhe më e keqja është se lëvizja në stola është bërë modë tashmë dhe fatin e emrave të përmendur më lart mund ta kenë edhe të tjerë në vazhdim. Janë disa që rrezikojnë seriozisht dhe nuk është çudi që në një moment të bukur t'u komunikohe­t largimi. Një fenomen tipik i futbollit shqiptar, ku emrat që qarkullojn­ë në fakt janë po ata, por thjesht lëvizja duhet bërë.

REKORDI I CANKËS - Mikel Canka është një ndër aspektet më pozitive të këtij kampionati. Sulmuesi 33-vjeçar ka vendosur një rekord te Lushnja, por me siguri edhe më gjerë, ka shënuar në 6 ndeshje radhazi dhe aktualisht është golashënue­si më i mirë i Kategorisë së Parë me 8 gola. Një paraqitje fantastike dhe falë tij skuadra verdhejesh­ile kryeson bindshëm Grupin B, 5 pikë para të tjerëve. Një avantazh jo vetëm me pikë, por edhe psikologji­k, sepse shton presionin te rivalët. Lushnja është me fat që ka një sulmues të tillë në organikë.

PENALLTITË BUJARE - Në futbollin shqiptar në përgjithës­i dhe në kategoritë inferiore në veçanti është shumë e lehtë të japësh një penallti. Edhe kur ajo është shumë e dyshimtë, madje edhe në shtesë dhe në rastet kur vendos rezultatin. Pa iu dridhur qerpiku fare, disa gjyqtarë akordojnë penallti shumë bujare, siç ishin fundjavën që shkoi ato në favor të Korabit në Peshkopi ndaj Dinamos dhe në favor të Pogradecit ndaj Apolonisë. E para u dha në minutën e 5-të shtesë dhe vendosi rezultatin, por pamjet filmike kanë ngritur shumë dyshime, ashtu sikurse edhe për atë të Pogradecit, që u akordua në minutën e fundit të kohës së rregullt.

SHËNKOLLI-ILIRIA - Befasia e javës së 6-të ishin fitoret e Shënkollit dhe të Ilirisë, të dyja në transfertë dhe të dyja me rezultatin e njëjtë, 2-3. Dy skuadrat që qëndronin në fundin e tabelës, kanë tronditur Besën dhe Devollin në fushat e tyre. Shënkolli e ndëshkoi Besën në stadiumin e Peqinit me 3 gola që në pjesën e parë dhe në fundi arriti të fitonte 2-3, kurse Iliria realizoi golin e fitores ndaj Devollit në kohën shtesë. Një tregues i qartë se ky kampionat është vërtet i paparashik­ueshëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania