Emeri dënon Xhakën me Liverpulin, e lë jashtë skuadre
Lideri i Arsenalit mund të heqë dorë vetë nga shiriti
Trajneri i Arsenalit, Unai Emeri, thotë se Granit Xhaka është i trishtuar dhe i shkatërruar për fërshëllimat e tifozëve në momentin e zëvendësimit në derbin me Kristal Palasin. Kapiteni arriti pikën më të ulët me tifozët të dielën në "Emirates", kur i fyer nga kontestimet e tyre, hoqi fanellën i zemëruar dhe u tha atyre "Shkoni pi...". Tani shiriti i tij është në rrezik. Trajneri Emeri do të konsultohet me lojtarët përpara se të vendosë nëse Xhaka do të vijojë të jetë kapiteni. Graniti është një nga figurat më popullore në dhomën e zhveshjes dhe Emeri ka frikë se nëse do t'ia heqë shiritin me vendimin e tij, atëherë do të shkaktonte një krisje me lojtarët, të cilët e kanë zgjedhur me votën e tyre kapiten. "Ai është i shkatërruar dhe i trishtuar për situatën. E kupton që ka gabuar, por ai si çdo njeri normal, ka nevojë për tifozët. Fola gjatë me të dhe ai duhet ta mësojë se kur luajmë mirë tifozët na duartrokasin dhe janë të gëzuar. Por në një moment të vështirë do të na kritikojnë dhe ne duhet të jemi të fortë dhe të mësojmë të luajmë nën presion", tha trajneri i Arsenalit përpara ndeshjes së sotme kundër Liverpulit në Kupën e Anglisë. Emeri vendosi ta lërë jashtë ekipi Xhakën për transfertën në "Anfield" për situatën e tij psikologjike, pavarësisht se në konferencë nuk e pranoi një gjë të tillë. Emeri shtoi se ai pret një ndjesë
nga Xhaka, por ndoshta ky nuk është momenti i duhur: "Kur dikush bën një gabim, duhet të kërkojmë ndjesë. Ne po e këshillojmë ta bëjë edhe ai". I pyetur nëse 27-vjeçari do të vazhdojë ta mbajë shiritin, tekniku tha: "Nuk është ky momenti për të folur për këtë.
Nuk mendoj tani për këtë. Unë e shpjegova pse vendosa që ai të ishte kapiten. Ai ka vlerat, respektin në dhomën e zhveshjes dhe përvojën. Ai është kapiten i kombëtares së Zvicrës dhe lojtarët e respektojnë". Mediat angleze shkruajnë se tifozët janë ende në pritje të një ndjese nga Xhaka, e cila nuk ka ardhur as përmes një postimi në rrjetet sociale. "DailyMail" shkruante se nuk përjashtohet mundësia që në komunikimin e tij të radhës, ai të heqë dorë vetë nga shiriti, duke ia hequr këtë barrë të rëndë trajnerit dhe shokëve të skuadrës.