Panorama Sport (Albania)

"Demat" stërviten në Elbasan, shqetësojn­ë Telushi dhe Boldor

- Vladimir Mema

Pavarësish­t se barazimi ndaj Kukësit i dha mundësinë Partizanit të qëndrojë i vetëm në krye të klasifikim­it, me sa duket trajneri Franko Lerda kërkon të shohë çdo gjë me detaje, sidomos gabimet. Para se të startonte seanca e djeshme stërvitore në kompleksin "Pepa" në Elbasan, italiani së bashku me ndihmësin e tij, Xhakomo Kini, për më shumë se 10 minuta ndoqën më konkretish­t këto raste nëpërmjet videos, të cilat u mbajtën shënim nga tekniku dhe ua bëri të ditura më pas lojtarëve kur startuan përgatitje­t. Me sa duket, italiani ka pasur pakënaqësi nga kjo ndeshje dhe kërkon të mos përsëriten në sfidat e ardhshme. E radhës është ajo me Luftëtarin të dielën në kryeqytet, që në letër duket e lehtë, por që "demat" kanë vuajtur shumë ndaj këtij kundërshta­ri në sezonin që fituan titullin pas 26 vitesh.

DËMTIME DHE MUNGESA - Bruno Telushi pritet të mungojë sërish në përballjen e radhës. Para stërvitjes së djeshme vlonjati nuk është zhveshur me pjesën tjetër të skuadrës, duke qëndruar sërish pushim. Me sa duket, stafi mjekësor nuk kërkon ta vërë në rrezik mesfushori­n. Mbetet për t'u parë këto dy ditë se çfarë do të ndodhë, por gjasat janë që të mos jetë i gatshëm ndaj gjirokastr­itëve. Ndërkohë, edhe rumuni i mbrojtjes, Deian Boldor, ka probleme fizike, edhe pse në dukje jo të asaj natyre sa të rrezikojë sfidën me Luftëtarin. Dje rumuni kreu vrapime të lehta përreth fushës. Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, kanë kryer një stërvitje normale, ndërkohë që u vu re mungesa e kapitenit Alban Hoxha. Mësohet se portieri ka marrë leje në klub për një problem personal dhe jo për arsye fizike. Sot grupi pritet të jetë më i plotë, teksa i gatshëm rikthehet edhe mesfushori Romero, që ka shlyer pezullimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania