Panorama Sport (Albania)

Ahmet Golemi: Në hetuesi më akuzuan edhe si fans të Kleit

“I shikonim ndeshjet fshehurazi te vëllai i Ismail Kadaresë”

- Nga UVIL ZAJMI

Një karrierë dhe jetë e pandarë nga ndeshjet në ring si dhe nga letërsia. Shkrimtar e publicist, por edhe redaktor te "Sporti Popullor". Ahmet Golemi e ka përjetuar atë ndeshje më shumë se askush tjetër, madje për nga ngjashmëri­a ka qenë edhe ai një Kasius Klei... Kështu e thërrsinin: "Kasius Klei shqiptar". Pastaj dënimi, burgimi absurd dhe deri tek akuzat në hetuesi për simpatinë që kishte për boksierin amerikan. Miqësia me Ismail Kadarenë, gjithashtu admirues i boksit dhe pasioni i kolosit të letrave për Klein.

Z. Ahmet flasim pak për boksin tonë?

Boksi shqiptar u burgos në 1964-ën, kur në janar në "Sporti" nuk u shpall kalendari i aktivitete­ve kombëtare të tij për vitin. Heshturazi doli që është hequr, por nuk foli askush. Boksierët kaluan në sporte të tjera, por jehona mbeti, pasi boksi si sport individual ishte shumë popullor dhe kishte yjet e tij. Shumë pasionantë e ndiqnin fshehurazi nga kanali televiziv italian, apo ai jugosllav, sidomos kur takimet organizohe­shin në Amerikë, që korrespond­onte me orët e mëngjesit në Europë. Dolën yje si italiani Benvenuti dhe Kasisu Klei, një emër që të godiste bukur.

Kur filloi "lidhja" juaj me Klein?

Për herë të parë emrin e Kleit, apo Muhamed Ali, e kam dëgjuar në Radio gjatë Olimpiadës së Romës. Ishim të grumbullua­r në hotel "Vjosa" kur në "Sporti" u shkruajt: "18-vjeçari Kasius Marcelios Klei mund në finale dy herë kampionin europian. Pastaj takimi me Sony Liston, që u bë çështje deri në Hagë, pasi Klein e akuzonin se më lëvizjet e tij sikur i tërhiqej qëllimisht ballafaqim­it. Ndërsa në ekran për herë të parë ka qenë ndeshja ndaj Floyd Patersonit.

Ku dhe si i ndiqnit ndeshjet?

Te familja e vëllezërve Misja, në shtëpinë e Shahin Kadaresë, mjek dhe vëllai i Ismailit. Bashkë me Dh. Xhuvanin, T. Laçon, V. Korreshin, Q. Buxhelin etj. Ishin miq të afërt dhe grumbulloh­eshim në një dhomë të vogël ku ishte televizori. Kujtoj më 8 mars 1971, Klei-Frezer, një ndeshje dramatike, nga ora 3 deri 6 të mëngjesit, pastaj dolëm si ilegalë, pasi ishte ende natë dhe nuk kishte zbardhur dita. "Si është e mundur tha i revoltuar Ismaili, t'ia japin fitoren një boksieri si Frezer?!" Edhe Ismaili e donte boksin, madje i pata dhënë dy gira që të stërvitej vetë.

E dinit se nuk pëlqehej pasioni juaj për boksin?

Jepja ndonjë mendim tinëz, por kisha rënë në sy të Sigurimit, që e konsideron­in si një kundërvëni­e ndaj heqjes së boksit. Vangjel Koja një ditë më takon e më thotë në koenfidenc­ë se Feçor Shehu, zv/ministër i Brendshëm, i kishte thënë "thuaj Ahmet Golemit të mos flasë për boksin se e ka tepruar".

Klei-Foreman duhej të zhvillohej në shtator, pse ndryshoi data?

Takimi ishte programuar më 30 shtator, por gjatë një stërvitjej­e Foreman dëmtohet në syrin e djathtë dhe për këtë arsye takimi u shty më 30 tetor. Ne u grumbullua­m te shtëpia e Vath Korreshit dhe pritëm nga ora 02:00 deri në 04:00 të mëngjesit. Asnjë lidhje me Kinshasën... Dolëm në 6 të mëngjesit dhe aty Adem Istrefi tha me shaka: "Atë që na ka bërë Ahmet Golemi, gjithë natën pa gjumë, nuk na e ka bërë as Ahmet Zogu.

Si ishte amosfera mediatike kur po afronte 30 tetori?

Unë punoja si redaktor në gazetën "Sporti", ku në asnjë mënyrë apo rrethanë nuk duhej të flitej e të shkruhej për boksin. Ndërkohë, një ditë përpara me del te MAPO një miku im, Bashkim Misja, mësues te "7 Marsi", e më thotë: "Vëmë bast që Foreman e mund Klein", pasi e dinin që unë isha admirues i tij. "Nuk vë bast, ata janë si dy vezë", i thashë unë. "Jo, - këmbënguli ai, sigurisht me humor, - ti 100, unë 1000 lekë. Në mëngjesin e të nesërmes e takoj dhe ai më ofroi 1000-lekëshin. Shkova te pastiçeri "Tirana" dhe bleva një tortë, kujtoj 500-lekëshe, të cilën, kur më arrestuan pak vite më vonë, do të ma përmendnin në hetuesi.

A mund të themi se ishte një Shqipëri sportive para ekranit bardhezi?

Ndeshjen e trasmetont­e "RAI" dhe problem ishte sinjali, por Durrësi e garantonte. Ne, ish-katër boksierë shokë: R. Reka, N Dauti, vendosëm ta shinim atje, te shtëpia e Fehmiut, vëllait të Ramizit. Ata u nisën paraditen e 29 tetorit, ndërsa unë në mbrëmje se isha në punë. Me trenin e fundit, në vagon ishte edhe një grup me aktorë të teatrit, madje shihim njëri-tjetrin, të rezervuar, kthenim fytyrën nga ana tjetër.

Si ishte atmosfera para takimit, a ju kujtohet?

Simpatia për Klein shkonte deri aty sa njerëzit i thonin Foremanit: "Si mund të ndeshesh me Profetin?!"... Kaq i madh ishte popullarit­eti i Kleit në Zaire, madje gjatë takimit publiku këndonte "Ali bomaye" (Ali vrite). Një këngë që u bë popullore më vonë, ndonëse ata luteshin që Foreman të mos e "vriste" Aliun. Kaq i sigurt ishte fundi.

Përballë ishin Klei, një leopard për nga cilësia dhe shkathtësi­a, kundër muskujve të çelikut si Foreman "knockauti". Ky i fundit ishte përbindësh. Arbitri u tregua dashamirës, duke e lejuar Klein që kur ai shkonte te litarët t'i fliste, t'i bënte presion psikologji­k kundërshta­rit.

Flasim pak për sfidën... Për të ardhur te raundi 8të?

Raundi i 8-të, kronometri shënon 2:58, Klei i jep një të majtë që i ngriti kokën e mjaftueshm­e për t'i dhënë një direkte në fytyrë. Pastaj një shpërthim me shtatë-tetë goditjet e famshme fatale, një nokaut teknik i paparë, shokues. Ishte e jashtëzako­nshme që një kolos si Foreman ta shihje të shtrirë në tapet. Ai u ngrit pasi arbitri Clayton mbërriti te "9", por nga pamjet filmike dhe sipas specialist­ëve, ai e kishte zgjatur deri në "10" numërimin.

A ishte arbitri një ish-basketboll­ist?

Kujtoj se arbitri ishte një ishbasketb­ollist i NBA-së, afroamerik­an, Zachary M. Clayton me nofkën "Zack". Ishte i gjatë 183 cm. Pasi u nda me basketboll­in, i ishte dedikuar arbitrimit të boksit dhe shumë shpejt arriti majat me kulmin në 1974-ën, në Kinshasa, në sfidën Foreman-Ali. Clayton e arbitroi edhe më pas Klein në takimin me Trevor Berbick në 1981-shin.

Cila ishte jehona pas ndeshjes?

Në vijim Foreman u shpreh se sinjali për t'u ngritur erdhi me shumë vonesë nga trajneri, i cili pas ndeshjes do të deklaronte se në atë gjendje, ai nuk mund të vazhdonte. Ndërsa vetë Foreman shumë vite më vonë do të përcaktont­e se "të paktën për një natë dhe atë mbëmje, Ali ishte më i miri".

U tha se ishte strategji e paparë nga stafi i Kleit...

Ajo ndeshje ishte përgatitur në mënyrë sekrete nga stafi i tij, si ndër shfaqjet absolute të një strategjie, ekzukutimi­t dhe interpreti­mit teknik e taktik. Ishte e paparë një strategji e tillë për peshat e rënda. Duke u mbështetur te litarët, për të amortizuar goditjet e forcës së kampionit, për të kaluar raundet e para, mbi të gjitha të tretin, që deri në atë raund asnjë kundërshta­r nuk kishte mundur t'i rezistonte Foremanit. Kjo e egërsoi, e çorientoi dhe e nervozoi atë, duke humbur shumë energji. Pas disa raundeve, Foreman dukej i lodhur dhe në të 6-in, shfaqet më i ngadaltë.

Pas Klei-Foreman, ndryshoi edhe mënyra e boksimit, apo jo?

Ajo përballje shënoi një ndryshim drastik në stilin e boksimit. Evidentoi kapaciteti­n, rezistencë­n fizike për grushet e marra e të dhëna, duke aplikuar taktikën pasive: "rope-a-dope". Gjatë viteve në vazhdim Foreman ngriti një sërë akuzash për të justifikua­r humbjen, se ai ka qenë helmuar nga një drogë e hedhur në ujë. Ai akuzoi edhe trajnerët e Kleit se i kishin lënë qëllimisht të lirë litarët, për të favorizuar boksierin e tyre.

Pastaj kthimi në mëngjes herët në Tiranë dhe diskutime pa fund...

Jemi kthyer me trenin e parë nga Durrësi dhe kur zbritëm te sheshi i stacionit, dukej sikur ishte miting nga diskutimet. Asnjë koment në shypin tonë, pasi fjala boks konsideroh­ej armike dhe në "Sportin Popullor", as në rubrikën "Degjenerim­in e sportit borgjez…" nuk u shkruajt asgjë, se do më thonin e ka vënë qëllimisht. Në redaksi vinte "La Gazzetta Dello Sport", e merrte Skënder Tupja dhe na e jepte ta lexonim. Kujtoj një foto të raundit të 8-të, kur Foreman i shtrirë dhe që Ali mund t'i jepte goditjen fatale, por ai nuk e bëri.

Edhe Klei ishte një ndër akuzat që ju bënë në hetuesi. Pse?

Njerëzit nuk flisnin, kishin frikë, vetëm në rrethe të ngushta, pasi Sigurimi ishte vigjilent dhe i ndiqte. Kam bërë një gabim që nuk e dija se më survejonin, pasi isha i sinqertë. Shkoja në Lidhjen e Shkrimtarë­ve, u besoja miqve, njerëzve duke i informuar në lidhje me boksin, me ndeshjet. Në gazetë kishim një bashkëpunë­tor, i cili ka qenë një nga dëshmitarë­t duke thënë për mua se "ky u fliste njerëzve për Kasius Klein...".

Në hetuesi ju kujtuan edhe tortën. Kaq e rëndë ishte situata?

Siç ju thashë më lart, bëhej fjalë për tortën që unë bleva dhe në çastin kur dola nga pastiçeri "Tirana", tek ish-Estrada, një gazetar nga Durrësi që vinte nga stacioni i trenit më takoi dhe me humor më thotë: "Torta për Muhamet Aliun apo jo"? "Po", i përgjigjem unë me shaka. Ishte pikërisht ajo tortë që ma kujtuan në hetuesi, pasi edhe për atë, ata ishin informuar.

Pas kaq vitesh, e mendonit se Klei do ta fitonte atë sfidë?

Po, isha i sigurt se do të fitonte. Ali ishte revolucion­i i atij sporti, duke ndërthurur intuitën, fantazinë, atletikën, artin dhe gjithçka tjetër. Madje edhe ringu nga 4x4m, vite më vonë u zmadhua në përmasat 6.20x6.20, falë boksit të tij spektakola­r. Mendoni edhe Mao Ce Duni që e kishte ndaluar boksin në Kinë, pasi pa Klein, e riktheu atë.

Sa larg dhe afër jeni sot me Klei-Foreman?

Vitet kanë kaluar, janë bërë dekada tashmë, por ajo ndeshje Ali-Foreman më afron me atë kohë. Më rikthen tek ai pasion dhe ndiej sikur kam qenë në Kinshasa. Kam bërë novelën "Përbindësh­i i bardhë" se kisha dufin tim për boksin, Klein. Por edhe Kadareja shkruajti novelën "Përbindësh­i", që e pati botuar në nëntorin e vitit 1972.

 ??  ?? Ahmet Golemi duke folur për “P anorama Sport”
Ahmet Golemi duke folur për “P anorama Sport”
 ??  ?? Posteri i ndeshjes
Posteri i ndeshjes
 ??  ??
 ??  ?? Dorezat e Kleit në Muzeun Historik në Uashington
Dorezat e Kleit në Muzeun Historik në Uashington

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania