Panorama Sport (Albania)

Katër javë pa fitore, Teuta shpreson te zhbllokimi i Nikaçit dhe Khalidit

Durrsakët kanë probleme në sulm, Shkëmbi kërkon kthesën

- Zamir Qypi

Teuta ka katër javë që nuk fiton, ndërsa durrsakët në javët e fundit kanë ndërlikuar pozitat e tyre, duke iu larguar disi kreut të klasifikim­it. Pasi kanë qëndruar dy ditë pushim, durrsakët kanë zbritur dje në fushën e stërvitjes. Trajneri Bledi Shkëmbi fillimisht ka folur para seancës dhe ka kërkuar nga skuadra më shumë përqendrim te ndeshja e radhës, ajo me Vllazninë në Shkodër. Sipas Shkëmbit, duhet patjetër që skuadra të rikthehet te tri pikët.

Shirat që kanë filluar në mbarë vendin nuk i kanë ndalur këto ditë "djemtë e detit" që të stërviten për takimin e javës së ardhshme ndaj Vllaznisë. Ekipi i Teutës ka vijuar të stërvitet me intensitet gjatë këtyre ditëve, teksa ka shfrytëzua­r në mënyrën e duhur ndërprerje­n e kampionati­t. Prej ditësh, durrsakët kanë filluar të mendojnë për sfidën e fundjavës me Vllazninë. Një ndeshje e rëndësishm­e, por "djemtë e detit" do të synojnë me patjetër të dalin me pikë të plota nga kjo ndeshje. Trajneri Shkëmbi duket se i ka të qarta idetë në mendjen e tij për formacioni­n që do të hedhë në fushë dhe e rëndësishm­e është që tashmë kontingjen­ti në dispozicio­n të stafit teknik është më i madh dhe po ashtu edhe mundësitë për të ndërtuar 11-shen. Skuadra dje ka zhvilluar dy seancat e radhës stërvitore me intensitet të shtuar, ushtrime force në palestër dhe pjesën tekniko-taktike në terren. Vetëm Çyrbja vazhdon terapinë intensive të rikuperimi­t dhe punën në terren e kompenson në pishinë. Të gjithë futbollist­ët e tjerë me profesiona­lizëm maksimal u përgjigjen kërkesave të stafit teknik, të bindur se puna e tashme do të jetë "bagazh" për gjithë pjesën e mbetur të gjysmës së sezonit ku skuadra do të kërkojë ta mbyllë 2019ën në tri vendet e para.

Trajneri Bledi Shkëmbi edhe me shkodranët nuk do ta ketë skuadrën e plotë, pasi nga sa dihet, nuk do të jenë për lojë Rustem Hoxha që është i pezulluar. Ashtu si dhe Çyrbja që është në rikuperim e sipër dhe duket se e ka kaluar më të vështirën dhe pritet që të jetë gati për trajnerin Shkëmbi. Në Durrës, organika është e pasur dhe trajneri Shkëmbi nuk do ta ketë problem që të ndërtojë një 11she fituesen në sfidën e radhës me shkodranët. Lojtarët kanë zbritur në fushë për të vijuar përgatitje­t anti-Vllaznia, sipas programit të trajnerit Bledi Shkëmbi. "Djemtë e detit" e kanë zhvilluar seancën e djeshme në "Olympic Park" dhe duhet thënë se ritmi ka qenë i lartë. Deri në fundjave do të vazhdohet me dy seancë në ditë. Brenda kësaj kohe, pritet që futbollist­ët të jenë në gjendje optimale për të vijuar me rezultate pozitive. Pas ushtrimeve aerobike, lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre, ku nuk munguan golat. Në Durrës do të synohen 3 pikët, pasi këtë sezon kanë pretendime madhore për kreun e Superiores, ndërsa po punohet shumë në fazën sulmuese ku Khalid dhe Nikaç pritet që të shpërthejn­ë për të ndihmuar dhe për t'u dhënë më siguri dhe qetësi durrsakëve në ofensivë. "Djemtë e detit" do të synojnë fitoren, për më tepër që kanë katër javë që nuk e njohin shijen e suksesit. Ndërkohë, durrsakët nuk do të zhvillojnë asnjë ndeshje miqësore gjatë këtyre dy javëve pauzë të Superiores.

 ??  ?? Darko Nikaç
Darko Nikaç

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania