Presidenti Xheferri: Peja ka nivel më të lartë, të fokusohemi te kampionati
Vllaznia në basketboll për meshkuj humbi edhe ndeshjen e dytë të Balkan League, kësaj radhe në transfertë, me ekipin kosovar të Pejës. Vendësit fituan 78-67 ndaj kuqebluve, të cilët gabuan kryesisht në lojën mbrojtëse. Pas kësaj humbjeje presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, shpreson që skuadra e tij të arrijë te fitoret në përballjet e ardhshme në Balkan League, ndërsa fokusi i Vllaznisë, thotë Xhaferri, është kampionati kombëtar.
PRESIDENTI ALBAN XHAFERRI
"Loja u zhvillua e bukur. Unë mendoj se ne gabuam në dy pjesët e para të lojës. Megjithatë, duhet theksuar se skuadrat kosovare kanë një nivel të lartë në basketboll. Vllaznia u mundua të zhvillojë një lojë të mirë dhe u përpoq deri në fund, por nuk ia arritëm dhe shpresojmë që të bëjmë ndeshje më të bukura në vazhdimësi. Loja ka tensionet e veta dhe vendimet e trajnerit duhen respektuar nga gjithsecili prej lojtarëve, sepse është trajneri që bën skemat e lojës. Nuk mund të them se kishte ndonjë problem, por sidoqoftë trajneri duhet respektuar. Liga Ballkanike dihet që është e vështirë dhe ajo që na mbetet është që të bëjmë një prezantim sa më dinjitoz. Ndeshjen e parë e humbëm në sekondën e fundit, ndërsa këtë radhë ishim jashtë fushe ndaj një ekipi shumë të mirë. Besoj se në përballjen e tretë do të fitojmë. Kampionati është fokusi ynë kryesor dhe aty kemi pretendimet tona. Ndeshja e radhës me Partizanin do të jetë pas dy javësh dhe skuadra ka kohën e nevojshme të përgatitet sa më mirë, që të ketë një rezultat pozitiv me Partizanin", tha presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri.
ZËVENDËSTRAJNERI BËRDICA
Zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ervin Bërdica, shprehet se problemi që ka skuadra ku ai bën pjesë është loja e dobët në mbrojtje, gjë të cilën ekipi shkodran e ka shfaqur që në fillim të këtij sezoni dhe do të punohet për ta përmirësuar këtë aspekt. "Ashtu si në të gjitha ndeshjet e tjera, shfaqëm të njëjtin problem, që është tabela e mbrojtjes. Po të shohim statistikat e ndeshjes, ata kishin 16 topa në tabelën tonë dhe ne 8 topa në tabelën e tyre dhe kjo ndikoi në rezultat. Peja e udhëhoqi lojën gjatë gjithë kohës pa e vënë asnjëherë në dyshim dhe mendoj se duhet që të stërvitemi fort që këto gabime t'i rregullojmë ashtu siç duhet dhe nëse mbrojmë si duhet, atëherë do t'i kemi më të lehta ndeshjet si në Balkan League edhe në kampionat. Në kampionat ndaj Partizanit do të jetë e vështirë, por ne duhet të stërvitemi dhe të mendojmë si duhet për problemet që kemi shfaqur gjatë gjithë kampionatit".