Panorama Sport (Albania)

Vendim i papritur i Allkanjari­t, lë futbollin në mes të sezonit

LUSHNJA/ Sulmuesi prish kontratën: Nuk kisha më motiv

- Alban Alushi

Arbër Allkanjari e mbyll me futbollin. Është ky vendimi i papritur që vjen nga Lushnja. Edhe pse nuk është mbyllur as faza e parë, sulmuesi ka menduar që të varë “këpucët në gozhdë”. Është vetëm 30 vjeç, por kështu e ka parë të udhës. Nuk jep shumë detaje për të ardhmen, por gjatë prononcimi­t të dhënë për “Panorama Sport” thekson se jeta e tij do të marrë tjetër drejtim në vazhdim. Kontrata e lojtarit ishte sezonale, ashtu si e gjithë pjesa e tjetër e grupit, e megjithatë është ulur me klubin dhe e ka zgjidhur atë me mirëkuptim. Zyrtarisht, Ilir Gjyla duhet t’i bëjë llogaritë me një sulmues më pak, të paktën derisa të hapet edhe merkatoja e dimrit. “Kam dorëzuar bazën materiale dhe me mirëkuptim kam kërkuar dorëheqjen time nga skuadra. Është një vendim personal. E kam vendosur, që të tërhiqem nga futbolli i luajtur. Kështu e pashë të arsyeshme, që të largohem këtu. Nuk kisha më motiv. Do të shikoj një drejtim tjetër. I uroj suksese ekipit të Lushnjës dhe të gjitha ekipeve me të cilat kam luajtur”, kështu është shprehur shkurtimis­ht për gazetën Allkanjari, i cili në fakt vetëm pas 4 ditësh feston 30-vjetorin e lindjes. Ai e ka marrë vendimin pas vetëm 9 javësh të zhvilluara në Kategorinë e Parë. Sulmuesi këtë sezon është aktivizuar në 4 ndeshje, duke grumbullua­r në total 122 minuta dhe pa shënuar asnjë gol, të paktën në kampionat, pasi në Kupën e Shqipërisë e ka ndëshkuar Orikun 3 herë në dy ndeshje dhe në 119 minuta. Gjatë karrierës së tij, veç Lushnjës, ku ka luajtur për 9 sezone, ka veshur edhe fanellat e Egnatias, Dinamos dhe Naftëtarit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania