Panorama Sport (Albania)

Klop 100 ndeshje në Europë: Nuk shkëlqyem, e komplikuam

-

Ndeshja kundër Napolit ishte e 100-ta për Jyrgen Klopin në Europë. Tekniku gjerman, i cili ka dhuruar mbrëmje të paharruesh­me në karrierën e tij me Dortmundin dhe Liverpulin, ia doli ta ngrejë trofeun e Champions-it sezonin e shkuar në Madrid. Por Klop ka përjetuar edhe zhgënjime të mëdha. Ai ka humbur 3 finale, dy në Champions, kundër Bajernit me Dortmundin dhe Realin në stolin e Liverpulit. Kësaj i shtohet edhe finalja e Ligës së Europës humbur me Sevijen. Udhëtimi i tij në Europë nisi në korrik 2005 kur Klop ishte akoma në stolin e Maincit, i cili u kualifikua në Kupën UEFA përmes çmimit të "Fair Play"-t dhe shpërblimi ishte një takim me Mikan e Armenisë. Gjermanët u kualifikua­n në raundin pasardhës, ku ata "ngrinë" gjithashtu Keflavikun e Islandës. Shpërblimi ishte një ndeshje kundër Sevijes, por spanjollët ishin një kockë e fortë dhe Mainci u eliminua. Klop mbërriti në Dortmund në verën e 2008-ës, por sezoni i tij i debutimit në Europë përfundoi me një humbje me penallti ndaj Udinezes në raundin e parë të Kupës UEFA. Atij iu desh të priste deri në sezonin 2010-'11, ku Dortmundi u eliminua në fazën e grupeve nga Liga e Europës. Për herë të parë nga 2012-'13 ai e riktheu klubin në Champions, por nuk e kaloi fazën e grupeve. Një vit më vonë, kur marka e futbollit të tij kishte marrë formë dhe me golat e Levës, ata shkuan deri në finalen e "Wembley"-t, por u mposhtën nga Bajerni. Një eliminim në çerekfinal­e në 2013-'14 dhe dështimi për të kaluar përtej 1/8-ave, ishin rezultatet e fundit në Dortmund. Te Liverpuli historia ndryshoi. Më pak se një vit në stol dhe "reds"-at fluturuan në finalen e Ligës së Europës, por në fund Sevija i përmbysi 3-1. Mungesa në Europë në 2016-'17 e ndihmoi ekipin të mblidhte forcat dhe rikthehej në Champions në javën e fundit të kampionati­t, duke e mbyllur në vend të katërt. Ardhjet e Van Dajkut dhe Salahut e forcuan skuadrën dhe u arrit finalja e parë në Kiev e humbur ndaj Realit edhe prej gafave të portierit Karius. Por në qershor ai ia doli të kurorëzohe­j kampion Europe. Klop e nisi këtë sezon duke fituar finalen e tij të pestë europiane, kundër Çelsit në Superkupën e Europës. Dy fitoret e tij më të thella i ka regjistrua­r në stolin e Liverpulit, 7-0 në 2016-'17 kundër Spartakut të Moskës dhe Mariborit në 2017-'18. Humbjet më të thella janë katër 3-0: ndaj Barcelonës me Liverpulin, Juves me Dortmundin, Realit dhe Marsejës. Kundër Realit dhe Sevijes ai është ndeshur më shpesh, 7 herë. Rekordin më të mirë e ka ndaj Sitit dhe Realit, duke u rrëmbyer 3 fitore. Sa u përket trajnerëve, Venger dhe Ançeloti janë kundërshta­rët me të cilët është përballur më shpesh: 6 herë. NDESHJA - "Napoli mendon se është kualifikua­r dhe ndoshta e kanë bërë me këtë rezultat. Këtu te ne mendojnë se do të jetë e vështirë. Dhe kjo është e vërtetë. Nuk i shfrytëzua­m rastet tona. Nëse do të kishim fituar këtu, nuk do të na duhej që të shkonim në Salcburg në këtë situatë. Por do provojmë të fitojmë atje. Nuk shkëlqyem, por i vumë nën presion. Problemi më i madh është dëmtimi i Fabinjos. Shpresojmë që të mos jetë shumë serioz, por ka shumë dhimbje rreth kaviljes", tha Klop në fund të ndeshjes.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania