Zyrtarizohen 3 afrimet e fundit, Dinamo mbyll merkaton
Konfirmohen Hysa dhe Spahiu, ekipi ndryshon totalisht
Dinamo ka mbyllur merkaton e dimrit me tri afrimet e fundit, që janë sulmuesit Vilfor Hysa dhe Renato Spahiu, si dhe mesfushori Geraldo Hysi. Ashtu siç ishte paralajmëruar, skuadra e ka ndryshuar organikën e saj thuajse totalisht, ku vendin e të rinjve që luajtën në pjesën e parë të sezonit e kanë zënë lojtarë me përvojë edhe në Superiore, siç është kryeqytetasi Hysa. Spahiu dhe Hysi janë prezantuar nga klubi blu si lojtarë të rinj të Dinamos. Edhe për Hysën është gjithçka e mbyllur dhe prezantimi i tij është thjesht formalitet. Dinamo kompleton kështu të tria repartet dhe pritet që gradualisht t’i largohet fundit të renditjes. Portieri Kuka, mbrojtësit Dovidio, Paterni dhe Turhani, mesfushorët Kolgega, Zylyftari, Kaloshi, Kamara, Hysi dhe Bogdani, si dhe sulmuesit Ortolani, Hysa e Spahiu janë të gatshëm për trajnerin Kamarata.
HYSI – Mesfushori Geraldo Hysi është emri më i ri në radhët e Dinamos, pasi afrimin e Hysës dhe Spahiut gazeta e kishte paralajmëruar që në numrin e djeshëm. Hysi, 21 vjeç dhe me origjinë nga Tepelena,
vjen nga Korabi, ku në gjysmën e parë të sezonit ka shënuar edhe një gol me dibranët. Nga drejtuesit blu konsiderohet një përforcim me vlera, duke pasur parasysh moshën e re të lojtarit.
SULMI – Vilfor Hysa njihet nga të gjithë, pasi është aktivizuar
me Tiranën, Teutën, Laçin dhe Kastriotin në Superiore. Së fundmi ka luajtur në Kosovë me Gjilanin dhe Drenicën. Përvoja e tij do t’i bëjë shumë punë Dinamos. Dy afrimet e tjera për këtë repart, Ortolani dhe Spahiu, gjithashtu do t’i ndihmojnë blutë për të
shënuar golat e qëndrimit në Kategorinë e Parë. Tashmë organika është e plotë dhe duhet vetëm pak kohë që grupi të jetë më solid në lojë. Ndeshja e radhës është me Erzenin në transfertë, ku shpresat e Dinamos për rezultat pozitiv janë të mëdha.