Tifozët sulmojnë shtëpinë e Uduardit: Do të vdesësh
Protesta kundër shefit të "Djajve"
Tensioni në kulm në shtëpinë e Mançester Junajtidit. Koret që uronin vdekjen e Ed Uduardit gjatë dy ndeshjeve të fundit të "Djajve" ishin vetëm preludi i aksionit. Mbrëmjen e së martës, tifozët e klubit kanë sulmuar me tymuese dhe fishekzjarrë shtëpinë e administratorit të deleguar, i cili është shndërruar në kokën e turkut për situatën e skuadrës, që ka rrëshqitur -33 pikë nga kreu dhe -6 nga zona "Champions".
Fakti - Një grup personash të maskuar, me fytyrat e mbuluara, nisën të hidhnin mjete piroteknike në drejtim të portës së vilës së drejtuesit në Mançester, duke vandalizuar me bojë kangjellat dhe shkruar "Eduard do të vdesë". Në momentin e incidentit, Uduard nuk ndodhej në shtëpi, ashtu si pjesa tjetër e familjes. Klubi i dënon - Me të mësuar ngjarjen, Mançester Junajtid mori pozicion përmes një komunikate, duke dënuar ngjarjen dhe nënvizuar se do të përjashtojë përjetësisht nga "Old
Trafford" personat përgjegjës të këtij akti. "Kushdo do të gjendet fajtor për një krim ose ka shkelur pronën e Uduardit do të përjashtohet përjetësisht nga klubi. Tifozët që shprehin një opinion janë një gjë, dëmi kriminal dhe qëllimi për të rrezikuar jetën dhe pronën janë një tjetër gjë. Thjesht, nuk ka falje për këtë. Bota e futbollit do të bashkohet me ne ndërsa punojmë së bashku me Policinë e Mançesterit për të identifikuar autorët e këtij sulmi të pajustifikuar".
Reagimi i autorëve - Por, nuk është e gjitha, sepse siç raporton "The Sun", personat që kanë kryer këtë akt donin që
të shpjegonin veprimin e tyre ekstrem: "Uduard është një tmerr si drejtues dhe duhet të largohet. Ia thonë shumë vetë, por ai nuk i dëgjon, ndoshta sepse paguhet 4 milionë paund në vit. Kështu që, vendosëm t'i shkonim dhe t'i bënim një vizitë për t'ia thënë këtë personalisht. Nuk arritëm të flisnim me
të, por shpresojmë që mesazhin ta ketë marrë. Nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa klubi ynë shkatërrohet". Në ndeshjen e ardhshme në "Old Trafford", kundër Uolverhemtonit në Premier Ligë, është parashikuar një protestë masive e tifozëve, të cilët do të lënë stadiumin në minutën e 58-të.