Kamberi firmos te Rejnxhërs, Veseli zbarkon në Francë
Shqiptarët fiksim, pas Grezdës një tjetër, Xherrard: Golashënues
Me ikjen e Eros Grezdës, Stiven Xherrard nuk shpëton dot nga zgjedhja e shqiptarëve. Trajneri i Rejnxhërsit, dje ka dhënë OK-in që në skuadrën e tij të afrohet në formën e huazimit sulmuesi i Hibernian, Florian Kamberi. Në Skoci është raportuar se gjatë ditës së djeshme, Kamberi pasi ka marrë dakordësinë nga trajneri Xherrard dhe skuadrat kanë arritur akordin paraprak për një transferim derio në fund të sezonit me të drejtë blerjeje për 750 mijë paund (afro 1 milion euro), ka kryer testet mjekësore dhe është prezantuar te Rejnxhërs.
TRANSFERIMI - Florian Kamberi ka pasur paraqitje pozitive me Hibernian dhe kjo ka bërë që legjendarët e Rejnxhërs të kthejnë sytë nga shqiptari. Në këtë pjesë të parë të sezonit me Hibernian, Kamberi ka shënuar 3 gola në kampionat dhe pesë në Kupë. "Ai është një golashënues dhe prandaj besojmë së do t'i sjellë shumë këtij ekipi. E kemi ndjekur disa herë dhe besojmë shumë te Kamberi", është shprehur Xherrard. Ndërkohë, vetë shqiptari është shprehur i lumtur për këtë mundësi. "Do të jetë emocionuese dhe gëzim i madh të luaj në një stadium si ky i Rejnxhërsit, me tifozët në mbështetje. Kam zhvilluar ndeshjen më emocionuese në stadiumin e Rejnxhërsit, pasi ishte e dyta për mua në Skoci. Ndjesi e jashtëzakonshme", ka deklaruar Kamberi.
SHQIPTARËT - Një vit e gjysmë më parë, Stiven Xherrard investoi dy milionë euro për kartonin e Eros Grezdës, por fati i keq dhe dëmtimet e shpeshta bënë që shqiptari të mos kishte "paqe" në Skoci. Tanimë, Xherrard do të ketë një tjetër shqiptar në skuadër, për të cilin gjithashtu pritshmëritë janë të larta.