Skënderbeu firmos me tre sulmues
Beli Lukaj vjen nga të rinjtë e Lacios, Elvi Berisha nga Laçi dhe Belajdi Pusi nga Vllaznia
Skënderbeu e mbyll merkaton me gjash të afrime dhe tre lojtarë që u zyrtarizuan vetëm ditën e djeshme. Pas mbrojtësit të majtë, Eni Imami, klubi korçar firmosi me tre lojtarë që luajnë në repartin ofensiv, pikërisht qendërsulmuesi shkodran, Belajdi Pusi, si dhe sulmuesit e krahut: Beli Lukaj dhe Elvi Berisha. Nëse Pusi ka dy javë që stërvitet me korçarët dhe nuk përbënte ndonjë risi firma e tij, e kundërta mund të thuhet për dy të tjerët, të cilët vijnë nga aventura te Lacio dhe Laçi. "Panorama Sport" zbuloi ekskluzivisht dje përmes faqes "online" të saj në internet (panoramasport.al) se sulmuesi i krahut të majtë, Lukaj, i lindur në Zvicër dhe i grumbulluar me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, ka arritur marrëveshjen me korçarët. Bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare me sulmuesin 20-vjeçar, që vjen nga të rinjtë e Lacios. Ai ka qenë te skuadra bardhekaltër në këto dy vitet e fundit, ndërsa është formuar si lojtar tek Argau në Zvicër, duke qenë pjesë e ekipeve të moshave deri në U-18. Më pas ra në sytë e Lacios dhe pas dy viteve në Itali, tashmë do të luajë për Skënderbeun. Presidenti Takaj është i bindur se ka afruar një lojtar shumë interesant, që është një sulmues tipik i majtë. Në Korçë shpresojnë se i riu do të shpërthejë me fanellën bardhekuqe, me synimin për t'u shitur më pas në një klub të huaj. Kjo është edhe vetë strategjia e klubit me lojtarët e rinj.
TË TJERËT - Elvi Berisha është afrimi i radhës i Skënderbeut, teksa vjen pas aktivizimit për afro një vit te Laçi. Me fanellën e kurbinasve 20-vjeçari nuk gjeti hapësirat e duhura dhe u largua që në muajin dhjetor. Tashmë ai do të jetë një forcë më tepër për krahët e sulmit të bardhekuqve. Berisha debutoi në futbollin profesionist me Tiranën tri vite më parë, teksa bëhet fjalë për një lojtar që është kontingjent i ekipeve kombëtare të moshave. Për pak muaj Berisha ishte pjesë e Leganesit në Spanjë, por pa mundur të bëjë karrierë. Ndërsa qendërsulmuesi Pusi shihet si alternativa më e mirë për të zëvendësuar Blerim Krasniqin. Shkodrani vjen pas aktivizimit te Vllaznia, aty ku nuk i besuan shumë dhe tashmë kërkon të ketë minutat e duhura me korçarët, në mënyrë që të tregojë potencialin që ka.
LARGIMET - Në orët e fundit të merkatos janë federuar edhe mesfushorët nga Gana, Alfred Mensah dhe Randi Xhunfo, që prej kohësh stërviten me Skënderbeun. Dje klubi ka larguar mesfushorin kosovar, Malsor Ajeti, i cili nuk pati hapësira dhe tashmë do të gjejë një skuadër tjetër. Ndërsa dilema të mëdha ka për sulmuesin Arbnor Muja, i cili me shumë mundësi sot do të huazohet në një skuadër tjetër, ndoshta në Superligën e Kosovës.