Laçi shet Domgjonin, por godet në fund me dy sulmues
Mbrojtësi firmos në ekipin ku luan Selmani
Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar. Mbrojtësi David Domgjoni i dha lamtumirën Laçit në ditën e fundit të merkatos. Më në fund dje u arrit marrëveshja mes klubit kurbinas dhe atij turk, Menemenspor, për shitjen e lojtarit nga Prizreni. Mësohet se Laçi do të përfitojë një shifër prej 50 mijë eurosh nga ky transferim. Domgjoni i bashkohet në klubin e Ligës së Dytë turke ish-kapitenit të Laçit, Gentjan Selmani, Gjatë prezantimit të djeshëm, mbrojtësi nënshkroi kontratën në shoqërinë e drejtuesve të klubit dhe vetë portierit të Kombëtares shqiptare. Ai firmos një kontratë për 2.5 vjet me Menemensporin. "Jam shumë i lumtur që bëhem pjesë e klubit Menemenspor. Shpresoj që besimin e dhënë nga klubi ta shpërblej, duke bërë maksimumin për të arritur objektivat. Faleminderit shumë ekipit të KF Laçi, me në krye presidentin Pashk Laska, trajnerëve me të cilët kam punuar dhe kam mësuar
shumë gjëra", shkruan dje Domgjoni në rrjetet sociale. AFRIMET
Dembakui Jomba dhe Albion Marku. Një sulmues me pasaportë amerikane nga Sierra Leone "zbarkoi" dje në Shqipëri për llogari të Laçit. Klubi e zyrtarizoi marrëveshjen me lojtarin, teksa
"Panorama Sport" zbuloi se 23vjeçari është futur në listën e federimeve dhe pret që t'i mbërrijë lejekalimi. Bëhet fjalë për një qendërsulmues, i cili është alternativë për të zëvendësuar golashënuesin më të mirë, Nuabueze. E veçantë është se Jomba, që ka nofkën "Boksi",
është produkt i akademisë së Atletiko Madridit, duke luajtur deri 19 vjeç me ekipin spanjoll, madje ka debutuar edhe në Ligën e Kampioneve për të rinj. Në tri vitet e fundit ai ka qenë pjesë e klubeve amerikane, Orlando B. dhe Reno FC. Ndërkohë, mesfushori me tipare sulmuese, Albion
Marku, vjen në formë huazimi deri në fund të sezonit nga Lokomotiva e Zagrebit. 19vjeçari është prodhim i Shkëndijës së Tiranës dhe kontingjent i ekipeve kombëtare të moshave. Klubi kroat e "rrëmbeu" në vitin e kaluar, ndërsa tani do të marrë minuta te Laçi.