Shënjestër dhe tru, Eriksen një “snajper” për titullin
Konte ka një specialist të goditjeve të dënimit, sipas traditës
Në pritje të golit të parë zyrtar, Kris tian Eriksen ka shënuar në miqësoren e fundit të Interit kundër skuadrës U-19 dopietën e parë me fanellën zikaltër. Fantazisti i transferuar nga Totenhemi në një marrëveshje prej mbi 50 milionë eurosh mes kartonit dhe pagës së lojtarit, i cili të mërkurën në mbrëmje debutoi kundër Fiorentinës në Kupën e Italisë duke luajtur 24 minuta, konfirmoi se është në formë të mirë fizike dhe ka bërë një hap përpara në përshtatje. Një lajm i mirë në prag të transfertës kundër Udinezes, ku do të mund të luajë nga minuta e parë. Dy golave të 27-vjeçarit i janë shtuar edhe dopieta e Espozitos dhe rrjeta e Verganit.
BASTET - Dhe tani kompanitë e basteve janë të bindura që ish-mesfushori i “Spërsave” do të rezultojë menjëherë vendimtar për fatet e zikaltërve. Një gol i danezit niset, në fakt, nga një kuotim shumë i ulët: 3.50. mjafton të mendosh që lojtari më i kuotuar për të shënuar në radhët e bardhezinjve është Okaka, që jepet me 4.70.
SHËNJESTËR DHE TRU - Jo vetëm cilësi në mesfushë. Interi me Eriksenin i ka dhuruar vetes edhe një “snajper” nga goditjet e dënimit, duke mbuluar kështu një hapësirë në skuadrën e Antonio Kontes dhe rikthen një traditë të vjetër interiste tashmë të humbur prej disa vitesh. Pasi është në gjendje të shënojë menjëherë nga goditja e dënimit, siç e dinë mirë edhe tifozët e Juventusit, por është në gjendje mbi të gjitha t’u dhurojë topa të çmuar shokëve: 14 golat nga faullet, plot 62 asistet, aq sa ka qëndruar në krye të klasifikimeve të Premier Ligës në këto zëra në gjashtë vitet e fundit. Pra, dikush që vendos trurin në funksion të skuadrës. Interi ka pasur gjithmonë një traditë të pasur specialistësh, duke u nisur nga Mario Korso, gjithmonë i rrezikshëm me goditjen me efekt që kalonte barrierën. Në një mënyrë totalisht ndryshe arrinte të kalonte muret kundërshtare Lotar Mateus, që ka preferuar gjithmonë të godasë me forcë. Nga një epokë në tjetrën, duke iu afruar kohëve të sotme, klubi zikaltër ka pasur një tepri goditësish. E majta e Alvaro Rekobës ishte në gjendje të “pikturonte” trajektore thuajse të pamundura, duke ditur të bashkonte saktësinë me një forcë thuajse unike. Mund të kujtohet edhe Adriano (apo Ronaldo): braziliani ka pasur gjithmonë “dinamitin” në këmbë, pavarësisht se mund t’i mungonte saktësia. Më i miri megjithatë me shumë mundësi ka qenë Sinisa Mihajloviç, që pikërisht me “Perandorin” ndante detyrat, madje duke improvizuar mënyra origjinale për të vendosur se kush do të godiste. I fundit, përpara Eriksenit, ka qenë Uezli Shnajder: vrull i shkurtër dhe goditje precize ku portieri arrinte me vështirësi. Tani Interi shpreson te një tjetër specialist.