Tirana kualifikohet në finale, përmbys me golden set Mirditën
Tirana ka marrë një fitore mjaft të bukur duke përmbysur në mënyrë spektaolare Mirditën në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Skuadra e Adrian Gorencës, ndonëse e kishte humbur 3-0 takimin e parë në Rrëshen, arriti të kthejë gjithçka në favor. Në takimin e djeshëm të luajtur në sallën sportive "Farie Hoti" të kryeqytetit, në dy setet e para, skuadra bardheblu ka qenë gjithmonë në kryesim por asnjëherë nuk mundi të shkëputej më shumë se një apo dy pikë. Kështu seti përfundon pas pikëve shtesë 26-24 për bardheblutë. Në setin e dytë vijon e njëjta tablo dhe Tirana kryeson 25-21 dhe me sete 2-0. U duk sikur do ta fitonte pastër ndeshjen e revanshit, por mirditoret të udhëhequra nga "veteranet" e ekipit, Prenga, Tuci, Blloku dhe dy lojtaret e huaja, arrijnë, ta marrin këtë set 2025. Në setin e katërt Tirana nuk
fal dhe e mbyll me fitoren 2521, duke e dërguar sfidën në golden set. Në këtë set Tirana arrin të triumfojë 15-10 dhe merr me meritë kualifikimin për në finale. Ndërsa nga ana tjetër, Mirdita pëson disfatën e parë sezonale, në të gjitha kompeticionet. Shumë i kënaqur me paraqitjen e vajzave, trajneri i Tiranës, Adrian Gorenca, deklaroi: "Një fitore e mrekullueshme dhe që na jep më shumë kurajë për të pasur një paraqitje sa më dinjitoze në finale. Nuk ka rëndësi se cili mund të jetë kundërshtari, për derisa është edhe ai finalist si ne, medoemos është një kundërshtar i fortë". Nesër do të luhet gjysmëfinalja tjetër Barleti-Partizani, ku universitaret e kanë fituar takimin e parë 2-3. Por Partizani është futur fuqishëm në merkato, ku pas brazilianes Rafaela Fonseka, dje ka zyrtarizuar edhe amerikanen Jale Harvei. A.Dushku