Panorama Sport (Albania)

Burreli fiton derbin, Bubeqi largohet nga Korabi

- Fatmir Zhuzhi

Humbje në derbi dhe pa trajner. Korabi e ka nisur në mënyrën më të keqe 2020-ën, pasi është mundur në Peshkopi nga Burreli, duke sjellë largimin e trajnerit Dorian Bubeqi, i konfirmuar nga vetë trajneri kavajas dhe klubi dibran. Në një stadium të mbushur plot me tifozë vendës dhe të ardhur nga Burreli, kanë triumfuar matjanët me dy golat e Fikajt, ndërsa Prendi realizoi një gol mjaft të bukur për Korabin. Ndeshja nis me një minutë heshtje në kujtim të ish-futbollist­it dibran, Njazi Sadiku, i cili u nda nga jeta para disa ditësh në SHBA. Loja është e bukur dhe me raste. Fikaj jep sinjalin e parë, por Birja pret pa vështirësi, më pas gjithçka flet për dibranët që marrin “frenat” e lojës në dorë. Raza godet me kokë, por Koca me vështirësi e devijon topin në këndore, më pas provon Reçi me një gjuajtje nga jashtë zonës, topi kalon ngjitur me shtyllën. Matjanët sulmojnë me Fikajn dhe Kurbneshin, por pa rezultat. Në të 25-ën godet Karaj dhe topi i drejtohet trekëndësh­it, por Koca e devijon në këndore. Goli i parë vjen në minutën e 28-të, teksa Prendi, pas një topi të marrë nga Karaj, gjuan bukur dhe tund rrjetën. Korabi në avantazh, por më pas lëshon në lojë, duke e lejuar Burrelin t’i ofrohet golit të barazimit. Në të 32-ën Fikaj barazon me kokë dhe pjesa e parë mbyllet 1-1, ndonëse janë edhe disa raste në vazhdim. Në pjesën e dytë, kur pritej reagimi

i Korabit, janë matjanët më të qartë në lojë. Ata shfaqen rrezikshëm me Stanën, Kurbneshin dhe Fikajn. Ky i fundit dyfishon rezultatin në të 64-ën. Pas këtij momenti Bubeqi bën dy zëvendësim­e, ku në vend të Çaços dhe Reçit fut Mziun dhe Murrjan, por loja nuk ndryshon. Skuka, në hije në këtë ndeshje, nuk mundi të çajë

mbrojtjen matjane. Dibranët kanë pretenduar edhe për dy penallti të padhëna nga kryesori Xhemalaj. Pas fitores, administra­tori i klubit matjan, Ballabani, tha: “Kishim punuar për këtë ndeshje, ndonëse na u largua trajneri Alcani. Fituam me meritë ndaj një kundërshta­ri të vështirë, por s’duhet të kalojmë në eufori”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania