Panorama Sport (Albania)

Devolli fiton mes tensionit, gol në fund dhe dy të kuq

Braziliani Mota i jep fitoren ekipit vendës

- Thanas Gjata

Ekipi i Devollit e ka fituar me shumë vështirësi takimin me Turbinën në fushën e tij, me rezultatin 2-1. Të tre golat janë shënuar në pjesën e dytë, ku vendësit kaluan në avantazh me Çelën në minutën e 68-të. Lojtari i Devollit realizoi me një goditje standarde nga rreth 20 metra largësi, por vetëm pas 5 minutash Turbina arriti t’i barazonte shifrat me anë të Levendit, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtjes, që ktheu topin gabim te portieri Mali. Futbollist­ët e Devollit kanë këmbëngulu­r deri në fund dhe e kanë gjetur golin e fitores me Motën në minutën e 90-të. Ndeshja pati disa episode gjatë zhvillimit të saj, por edhe tension në shkallët e stadiumit. Kujtojmë që pas ndeshjes së fazës së parë, mes Turbinës dhe Devollit pati akuza për shitje ndeshjeje dhe drejtuesit bilishtarë në atë kohë pezulluan tre futbollist­ë.

EPISODET – Me shumë vështirësi ka fituar Devolli, edhe pse thuajse për gjithë ndeshjen luajti me një lojtar më shumë, pasi që në minutën e 6-të Peqini u ndëshkua me karton të kuq nga kryesori Dyrmishi për një ndërhyrje shumë të ashpër me taka ndaj kundërshta­rit. Kjo bëri që vendësit të dominonin dhe të krijonin rreth 13 raste të pastra për shënim, 6 prej tyre në pjesën e parë. Të gjitha këto raste u neutralizu­an nga portieri “hero” i Turbinës, Laroshi.

TENSIONI - Cërrikasit treguan se kanë një ekip me vlera në këtë transfertë, por Devolli në fund ia doli t’i kënaqë sportdashë­sit që e mbështetën fuqishëm nga fillimi deri në fund. Nga këta të fundit, në ndonjë moment ka pasur edhe kore të pahijshme dhe ndonjë send të hedhur në fushë, ku gjithçka është mbajtur shënim nga zyrtarët e ndeshjes. Në fundin e ndeshjes, portieri i Devollit, Mali, ka fyer trajnerin Allamani të Turbinës dhe kryesori Dyrmishi e ka ndëshkuar me karton të kuq. Por trajneri mik ka pasur përplasje në distancë edhe me tifozët vendës, duke kaluar në një konflikt verbal me ta. Me ndërhyrjen e policisë, situata është qetësuar. Forcat e rendit kanë shoqëruar ekipin mik për të mos pasur probleme.

FETOLLARI - Goli në minutën e fundit e ka çliruar trajnerin Festim Fetollari, pasi do të ishte e pafalshme që skuadra e tij të linte pikë në këtë ndeshje. Pas fitores së mundimshme, ai u shpreh: “Kisha punuar me ekipin gjithë javës për këtë rezultat, që me pak mundim dhe sakrificë e arritëm. I falënderoj djemtë për lojën që zhvilluan dhe këtë fitore ua dedikoj sportdashë­sve të zjarrtë të Devollit”. ALLAMANI – “Jam i kënaqur me ekipin tim për lojën që zhvilloi në këtë ndeshje, pavarësish­t rezultatit. Kam një ankesë për veprimin e gjyqtarit të takimit, i cili na la me një futbollist më pak që në fillim. Rezultati më i drejtë mund të ishte barazimi, por futbolli kështu e ka dhe besoj se do të marrim pikë në takimet e ardhshme”, ka thënë pas humbjes në Bilisht trajneri i cërrikasve, Alfred Allamani, i cili nuk ka dashur ta komentojë përplasjen me tifozët bilishtarë.

 ??  ?? Momenti i tensionit në Bilisht
Momenti i tensionit në Bilisht

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania