Panorama Sport (Albania)

Nga Murinjo te Van Dajku, Lusio: Juventusi gabimi i jetës, Konte një mashtrues

-

Lucimar da Silva Ferreira ose shkurtimis­ht Lusio, do të mbetet pjesë e historisë së Interit, pasi një mbrojtës aq modern sa ai nuk është parë prej shumë vitesh në Milanon zikaltër. Gjiganti brazilian jo vetëm shënonte, por ishte i frikshëm kur nisej me topin në këmbë nga zona e tij, duke dribluar këdo që i dilte përpara, por kur duhej dinte se si të bashkonte 100 kilogramë muskuj së bashku me Valter Samuelin në qendër të mbrojtjes, për t'u bërë një mur i dhimbshëm dhe i pakalueshë­m për këdo. Imazhet në memorie të Lusios, bashkuar me ato të Samuelit dhe pa dyshim të legjendës dhe kapitenit Havier Zaneti, ishin sigurisht fotografit­ë më të bukura të tripletës interiste të vitit 2010, të cilat ai i kujton me mall dhe krenari, teksa tashmë ka lajmëruar edhe tërheqjen nga futbolli. Prandaj, duke e nisur nga Interi, Murinjo, hapat e parë e deri te gabimi i transferim­it te Juventusi i Kontes, Lusio i thotë të gjitha për "pasione Inter".

Lusio, ke vendosur që të tërhiqesh... Sa do të të mungojë futbolli?

Shumë. Është diçka që e bëj që fëmijë. Nuk e di realisht se çfarë mund të kisha bërë nëse nuk do kisha luajtur futboll. Gjithsesi, edhe sot që tërhiqem jam i lumtur, sepse kur kthej kokën pas dhe shoh karrierën madhështor­e që kam bërë, jam i lumtur dhe buzëqesh. Ndihem krenar që arriti edhe kjo ditë dhe që e mbylla në Brazil. Thjesht i jam borxhli Zotit që u bëra një futbollist i madh dhe i njohur në të gjithë botën.

Ka pasur një moment kur ke kuptuar se do fitosh gjithçka në karrierë? Për shembull, mund të themi se kthesa e madhe ka qenë ndeshja me Dinamon e Kievit në vitin 2010, në të cilën vetëm pak minuta nga fundi ishit të eliminuar dhe më pas e përmbysët?

Interit në atë ndeshje iu dha një mundësi e dytë. Pak minuta nga fundi ishim jashtë Champions-it, por pastaj Shnajderi dhe Milito bënë të pabesueshm­en, duke na ndezur stimujt dhe motivimin për të ëndërruar. Gjithsesi, mendoj se ishte sfida me Çelsin më e rëndësishm­ja. Me dy fitoret ndaj tyre fituam besimin total se do t'ia dilnim. Një person shumë i rëndësishë­m në këtë fitore ishte Zhoze Murinjo, i cili na fliste shpesh dhe bënte një punë të madhe psikologji­ke me ne. Nuk lodhej së na përsëritur­i që të vazhdonim, pasi fitorja ishte e mundur dhe duhej të besonim në të. Duke u mbështetur te figura e Murinjos e kuptuam se do ta fitonim tripletën edhe falë tij.

Duke mbetur te Murinjo, nervozohej shpesh kur ti vendosje të bëje sprinte e driblime me topin nga mbrojtja në mbrojtje?

Po. I kujtoj ende ulërimat e tij sa herë që nisesha... "Lusio, jo, jo jo" (qesh)... Por ishte e kotë që përpiqej të më ndalonte. Zhoze ishte trajneri që më rriti më shumë në aspektin taktik. Fliste me mua shpesh edhe gjatë stërvitjev­e dhe falë tij unë isha pjesë e formacioni­t të vitit në Europë dhe në botë në vitin 2010. Murinjo më mësoi mbi të gjitha se si duhej mbrojtur dhe do t'i jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka i dha karrierës sime dhe mua si person.

Pas Interit u transferov­e te Juventusi, një lëvizje që bëri shumë bujë. Na trego se si shkoi...

Një situatë shumë e vështirë për mua. Unë nuk doja të lija Interin, doja të vazhdoja... Por ndodhi ndryshimi i radhës në stol, me ardhjen e Stramaçoni­t. Ai dhe Marko Branka (ish-drejtori sportiv) më bënin shumë presion, mua dhe menaxherit tim. Kujtoj që isha me pushime në Brazil dhe çdo 15 minuta Branka më telefonont­e, së bashku me drejtues të tjerë të Interit që më shtynin: "Ti duhet të ikësh, duhet të gjesh një klub tjetër". Ishte një situatë shumë e vështirë. Unë doja të qëndroja, ndërsa më thoshin të bëja të kundërtën. Por kur menaxheri im më takoi në Brazil, ai më tha se ishte mundësia që të shkoja te Juvja dhe fakti që kishin mbetur vetëm 3 ditë nga mbyllja e merkatos, pranova. Sot e pranoj se ishte gabimi i jetës sime. Kjo është e qartë, sepse pas vetëm 6 muajsh nuk luaja më me ata dhe nuk ndihesha mirë te Juvja. Ky është futbolli.

Te Juventusi gjete Antonio Konten, sot trajner i Interit. Si ishte të punoje me të?

Për mua ishte shumë e lodhshme. Gjithçka lidhej me faktin se Bonuçi mund të rrezikonte një skualifiki­m (çështja e basteve që përfshiu Barin në atë periudhë) dhe ndaj, Konte më tha: "Eja këtu, sepse do të luash shumë me mua". Por më pas e gjithë kjo rezultoi një gënjeshtër e madhe, sepse Bonuçi nuk u skualifiku­a dhe unë përfundova të mos luaja thuajse kurrë. Konte më mashtroi, ndërsa për mua nuk ndryshoi shumë, sepse e ritheksoj, transferim­i te Juvja ishte gabimi më i madh i jetës sime.

Sulmuesi më i fortë që ke markuar?

Mesi. I shpejtë, inteligjen­t, me ide gjeniale. Sa e vështirë të luaje kundër tij.

Mes shumë sukseseve në karrierë, cili është më i bukuri?

Botërori 2002. Por edhe finalja e Champions-it me Interin, mbeten dy momentet më të paharruesh­me. Shpesh i rikujtoj, por për nga rëndësia mendoj se ishte Champions-i me familjen time zikaltër, pasi ky trofe kishte 45 vite që nuk ngrihej në qiell nga interistët.

Kush është lojtari, tek i cili gjen veten, kush është "Lusio i ri"?

Van Dajk i Liverpulit, por e pranoj me qetësi se ai është edhe më i fortë se unë. Është më teknik se unë, por ndoshta unë e kaloj atë për sa i përket përdorimit të fizikut në fushë dhe këmbëngulj­es.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania