Ibra gati për Interin, Konte përgatit kafazin
Gjithçka do të varet nga partneri i suedezit në skemën 4-4-2
Përpara është derbi dhe Antonio Konte nuk bën lëshime. Në fakt, trajneri i Interit kishte fiksuar për ditën e djeshme një seancë të dyfishtë stërvitore, përpara një kalendari që parashikohet shumë i ngjeshur për zikaltrit. Dhe deri ditën e diel do të ketë në mendje me shumë mundësi një shqetësim: mënyrën për të ndalur Ibrahimoviçin. Le ta quajmë ndërtimin e një “kafazi” përreth yllit suedez të Milanit.
IDEJA - Ibra është pa dyshim rreziku numër një i “Djallit”, për më shumë një futbollist që Konte e ka admiruar prej kohësh deri në atë pikë sa u përpoq ta transferonte te Çelsi në kohën kur Zlatan po rikuperohej nga dëmtimi në gju te Junajtid. Të dielën në mbrëmje Konte do e gjejë përballë dhe do duhet të vendosë mënjanë pëlqimin profesional për ta anuluar, ose së paku limituar. Në ndërtimin e këtij “kafazi” një peshë thelbësore do të ketë emri i partnerit që bomberi i Malmos do të ketë përkrah në skemën 4-4-2, modulin e preferuar të Stefano Piolit te Milani.
PARTNERI I IBRËS – Nëse Ibra do të ketë përkrah Rebiçin, kroati do të niset me shpesh nga pozicioni i fantazistit. Meqenëse Brozoviç do të rikthehet përpara mbrojtjes, do ishte e kotë t’i kërkohej dyluftimi me suedezin, që duke konsideruar shtatin e këtij të fundit do të ishte e kotë. Brozo do të ketë si detyrë të pakësojë furnizimet që i vijnë nga mesfushorët. Kur Zlatan të jetë në qendër, do i afrohet De Vraj, ndërsa dy mbrojtësit e tjerë do duhet të mbulojnë diagonalet për të evituar inkursionet e mesfushorëve.
LOJA AJRORE –Konte e di që ndalimi i Ibrës në lojën ajrore është diçka e ndërlikuar edhe për Godinin, De Vrajn dhe Shkriniarin. Ja përse “kafazi” që ka në mendje më së shumti do duhet t’i mohojë suedezit mundësinë për të krijuar për shokët e skuadrës. Ndërkohë që një mesfushor do i afrohet gjithmonë mbrojtësit që markon Zlatanin për të mos e lejuar të qarkullojë me topin në këmbë. “Kafazi” është gati, por nuk do jetë e lehtë të futet “luani” Ibra.