Ligji për sportin, zbulohen përfitimet e federatave
Atletika dhe shtanga që sjellin medalje, në plan të dytë
Sporti është në ditët e veta më të errëta nga të gjitha pikëpamjet dhe për këtë, shumëkush ka përgjegjësi e shumëçka duhet ndryshuar. Mirëpo, domosdoshmëria e një kuadri të ri ligjor me një sërë pikash që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për sportin, është tashmë e gjithëpranuar, nga politika, por edhe nga vetë bota e sportit. "Panorama Sport" ka mësuar ekskluzivisht edhe të gjithë kuadrin ligjor që do të ndryshojë, referuar "Ligjit të sportit" dhe "Ligjit për sponsorizimet".
Pas miratimit të këtij ligji, futbolli nuk do të jetë vetëm sporti më popullor në Shqipëri, por i sanksionuar me ligj si një ndër tri sportet më të përhapura në vend, krahas basketbollit dhe volejbollit. Për të tria këto disiplina sportive, ndryshimi ligjor përcakton 20% zbritje të tatimeve për ata që investojnë. Mirëpo, në të njëjtin ligj, ka një sanksion edhe për sponsorizuesit. Që këtyre të fundit t'u njihet kjo e drejtë, ata e kanë të përcaktuar që "si sponsorizim, sponsorizuesi është i detyruar që t'i paguajë gjithashtu të sponsorizuarit një shumë prej 30% të shumës së përcaktuar në paragrafët si më sipër. Kjo shumë do t'i njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm", sanksionohet ndër të tjera në ligj. Pra, thënë më thjesht, mes të gjitha atyre të ardhurave nga fitimi që sponsorit ia zbret shteti nga tatimi mbi të ardhurat, 30% të tyre do të duhet t'i investojë patjetër në futboll, basketboll ose volejboll.
KAMPIONËT, NË PLAN TË DYTË
Ndërkohë, sporte si atletika apo peshëngritja që i sjellin vendit kampionë Europe apo kampionë bote dhe të gjitha disiplinat e tjera, do të kenë një zbritje prej vetëm 10% të sponsorëve që investojnë mbi to. Ky është kategorizimi i bërë në ligjin e ri për miratim, teksa të gjitha medaljet dhe përfaqësimi i flamurit shqiptar në nivelet më të larta (nënkampionë/ kampionë Europe ose nënkampionë/kampionë bote) kanë të sanksionuar me ligj që sponsorët e tyre të përfitojnë vetëm 10% zbritje të tatimit mbi të ardhurat. "Si kusht për njohjen e shumës së përcaktuar si sponsorizim, sponsorizuesi është i detyruar që t'i paguajë
gjithashtu të sponsorizuarit një shumë prej 20% të shumës së përcaktuar në paragrafët si më sipër. Kjo shumë do t'i njihet sponsorizuesit si shpenzim i zbritshëm", sanksionon më tej ligji.
Në disa nene të shtuara,
shteti ka miratuar heqjen e tarifës doganore apo të TVSH-së për materialet sportive apo barnat e mjekësisë sportive. Po ashtu, edhe të ardhurat nga e drejta televizive sanksionohen me ligj që i takojnë 100%, pa asnjë taksim, organizatorit.