Kielini i bashkohet grupit, kapiteni “prenoton” Interin
Mbrojtësi nis të vrapojë, por Sarri konfirmohet një “doktor” për të gjithë
Te Juventusi nuk ka festë vetëm për Kristiano Ronaldon, por edhe për Xhorxho Kielinin. Nëse portugezi festoi dje mes shumë buzëqeshjeve dhe shumë sprinteve të forta datëlindjen e tij të 35të, për kapitenin mikpritja ishte edhe më e madhe, duke qenë se lideri i mbrojtjes së kampionëve të Italisë është vetëm pak ditë larg rikthimit në fushën e lojës. Edhe pse për numrin 3 rikthimi ishte parashikuar për në mesin e muajit shkurt, pas operacionit në ligamente, seancat riaftësuese dhe kurat e vazhdueshme të ndjekura sidomos në Gjermani, ku kreu edhe ndërhyrjen kirurgjikale, duket se kanë dhënë një efekt shumë pozitiv, aq sa 35-vjeçari ka djegur kohët e riaftësimit. Madje, duke parë edhe mënyrën se si Kielini ka vrapuar ditën e djeshme, por edhe faktin që ka marrë pjesë në seancat me top, kanë rritur entuziazmin se “King Kongu” do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e vajtjes së 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, më datë 26 shkurt kundër Lionit në “Allianz Stadium”, pse jo, duke fituar disa minuta në këmbët e tij në ndeshjen paraardhëse në kampionat si ndaj SPAL-it ose Breshas, ndërsa e sigurt mendohet të jetë prezenca e tij në duelin e titullit, kundër Interit më datë 1 mars. Dhe në Torino nënvizojnë se në rikthimin e shpejtë të Kielinit ka një dorë shumë të rëndësishme edhe stafi atletik i Mauricio Sarrit. Kjo, sepse
nëse ata janë treguar shumë të kujdesshëm, pasi organizojnë programe të caktuara dhe të veçanta për çdo lojtar. Kjo gjë, më shumë sesa për kapitenin e Juves, dallohet qartë te puna e bërë me gjurin e Ronaldos, në periudhën e errët të tij, apo akoma më shumë me rikuperimin e dy lojtarëve, si Matajs De Ligt, por
akoma më shumë me Adrien Rabionë, i cili në ndeshjet e fundit jo vetëm ka shkëlqyer fizikisht dhe taktikisht, por ka arritur deri aty sa të fitojë balotazhin edhe me “motorin” e mesfushës juventine, Blez Matuidi. Me pak fjalë, Sarri dhe stafi i tij dinë të bëjnë edhe “doktorin” e ekipit, jo vetëm përgatitësin tekniko-taktik.