Shkarkime, sherr e dëmtime, 35 ditët e errëta të Barçës
Në dollinë e Vitit të Ri, Jozef Maria Bartomeu ishte shumë i buzëqeshur në tavolinën bashkë me drejtuesit e tij. I uroi të gjithë për një vit 2020 të suksesshëm dhe sa më pozitiv, si në aspektin familjar, ashtu edhe në atë sportiv. Por ajo që nuk dinte presidenti i Barcelonës ishte se fillimi i vitit të ri do të ishte një ferr për ta, madje më keq: luftë civile. Për më tepër, priten ditë të tjera shumë të nxehta në Katalonjë. Bartomeu dhe Vidal kishin pasur një takim me njëri-tjetrin përpara disa ditësh ku francezi i shpjegoi arsyet pse nuk u futën në merkato për sulmues dhe duket se arsyet e kishin bindur për të dalë nga kjo mbledhje i lumtur dhe më i fortë. Por gjithçka u shndërrua në një polemikë pas intervistës që sekretari teknik (Abidal) dha për gazetën "Sport"... Pas fjalëve të Leo Mesit në "Instagram" drejtuesit e Barcelonës janë të akuzuar, madje të sulmuar. Eliminimi nga Superkupa e Spanjës, shkarkimi i Ernesto Valverdes, përgjigjja negative e Ksavit, emërimi i Setienit, dëmtimi i Suarezit, vendimi për të mos bërë merkato, sulmi i Rakitiçit në drejtim të krerëve, dëmtimi i Dembelesë dhe së fundmi fjalët e ashpra të Lionel Mesit. Gjithçka ka ndodhur në 35 ditët e para të vitit. Gjithçka ndodhi në golin e Vu Leit në derbin katalanas. Ai gol ra si një bombë në Barcelonë dhe Ernesto Valverde u vu në diskutim për të ardhmen. Disa ditë më vonë, ishte e famshmja Superkupë e Spanjës, që u zhvillua në Arabinë Saudite. Gjysmëfinalja kundër Atletikos së Madridit ishte në rrugën e duhur. Skuadra e Valverdes bëri 80 minutat më të mira të sezonit, por dy gabime individuale e lanë Barcelonën pa finale dhe pa... trajner. Drejtuesit e shkarkuan "Milingonën" pak orë pas eliminimit. Oskar Grau dhe Erik Abidal shkuan në Katar për të biseduar me Ksavin dhe e zgjodhën legjendën si njeriun që do të rikthente qetësinë. Ksavi nuk e pranoi ofertën dhe fotot e takimit kishin bërë xhiron e botës. Edhe Kuman me Poçetinon nuk e pranuan stolin e nxehtë. Pas disa ditë takimesh në qendrën stërvitore "Joan Gamper", Ernesto Valverde u largua duke buzëqeshur dhe duke u përshëndetur me rojet e sigurisë. Bartomeu i kishte komunikuar lajmin se nuk do të vazhdonte të ishte më trajner. Kike Setien ishte i përzgjedhuri pasi drejtuesit u refuzuan 3 herë. Ai tha se ishte me lopë dhe e kontaktuan nga Barcelona. Diçka që tregon se nuk ishte zgjedhja e duhur. U mendua se do të mbaronin problemet me trajnerin e ri, i cili është i dashuruar pas stilit të Krojfit dhe Guardiolës. Nisën të shfaqeshin problemet e tjera, ku Luis Suarez duhet të operohej dhe do të humbte të gjithë sezonin. Nuk ishte shqetësuese situata në atë moment sepse merkatoja ishte përpara dhe do të afrohej një sulmues. Në fakt, ndodhte e kundërta. Ditët kalonin dhe Setienit po i largoheshin lojtarët. Në repartin e sulmit po krijohej një boshllëk i madh. Karles Perez u transferua te Roma dhe ishte e qartë që katalanasit kishin nevojë për një numër 9. Trajneri driblonte pyetjet me stil duke thënë se do të provonte lojtarët e akademisë, por edhe Abel Ruiz me Markesin u shitën. Sytë u hodhën të gjithë nga Osman Dembele, i cili u konsiderua nga trajneri si blerja e merkatos së janarit sepse drejtuesit vendosën të mos bënin blerje. Por mallkimi goditi sërish kampin katalanas sepse Osman Dembele u dëmtua përpara 2 ditësh dhe do të operohet duke humbur sezonin. Setien ka mbetur vetëm me 3 sulmues, Mesi, Grizman dhe Ansu Fati. Asnjë nga ata nuk është numër 9... Si të mos mjaftonin problemet e mëdha, ishte Rakitiç që lëshoi disa shigjeta në drejtim të bordit katalanas, pasi në verën e kaluar ai doli në shitje. Më e rënda ishte ajo mes Leo Mesit dhe Abidalit. Në Barcelonë do të ishin të lumtur nëse do të ishte e fundit...