Panorama Sport (Albania)

“Profesori” i të dyjave, Josa: Ja si fitohet kjo ndeshje

“Bardheblut­ë të avantazhua­r, por shkodranët rigjetën ‘senatorët’”

- JETMIR HALILAJ

Të analizosh Vllazn inë dhe Tiranën sot nuk është edhe aq e lehtë... Duhet ta bëjë dikush që e njeh jo vetëm futbollin, por edhe kulturën sportive të dy qyteteve, që ka jetuar me këto skuadra dhe do të ishte akoma më mirë nëse do të kishte punuar me to. Profili i duhur, të cilit "Panorama Sport" i beson një skaner paraprak të dy ekipeve, është Mirel Josa. I ka drejtuar të dyja skuadrat në karrierën e tij, ka lënë gjurmë aty dhe këtë sezon i ka ndjekur sistematik­isht. "Janë të paparashik­ueshme, por unë them se Tirana ka 60% shanse për t'ia dalë mbanë në Shkodër", thotë trajneri i shquar për gazetën. Parashikim­i i tij nuk është një hamendësim i momentit, por një analizë e detajuar e fakteve.

Josa, ç'ndjesi keni kur dëgjoni se do të luhet Vllaznia-Tirana?

Më kujton gjithnjë futbollin e bukur shqiptar. Edhe kur isha lojtar, sa herë që luanim me Vllazninë, perceptimi ishte që do të luhej një futboll i bukur. Do të ketë atmosferë, emocione dhe gjithnjë diçka për t'u komentuar.

Pse kështu?

Sepse janë dy skuadra të traditës, por të asaj tradite që të dyja luajnë futboll. Vllaznia ndër vite ka pasur personalit­et dhe guxim për të luajtur hapur dhe bukur. Kjo e ka bërë gjithnjë të veçantë përballjen me të. Por duhet t'i njohim meritën edhe qytetit...

Në ç'kuptim?

Shkodranët e dashurojnë futbollin, por përveç kësaj, unë besoj se kanë qenë dhe mbeten tifozët më objektivë.

Mund të jeni pak më specifik rreth kësaj teme?

Shikoni, tifozët shkodranë janë më të vetëdijshm­it. Ata ia njohin kapaciteti­n skuadrës dhe as e vënë në vështirësi të vazhdueshm­e dhe as krijojnë tensione të panevojshm­e. Ata e dinë kur ekipi ka mundësi për një objektiv madhor dhe kur jo. Ata e kuptojnë kur ekipi jep gjithçka në fushë dhe kur jo. Mua më pëlqente shumë kjo gjë. Prandaj, ata edhe duartrokas­in rivalin kur e kuptojnë se skuadra e tyre ka dhënë gjithçka, por është mundur nga një kundërshta­r

më i fortë. Me sa kam parë, vetëm në Shkodër ndodh kjo.

Po si trajner çfarë kujtimesh keni?

Ndër më të mirat. Drejtimi i Vllaznisë dhe jeta në Shkodër ka qenë një nga stacionet më domethënës­e të karrierës sime si trajner. Më ndihmoi si eksperienc­ë, por edhe unë u përpoqa të përcillja ndonjë ndryshim të rëndësishë­m.

Çfarë ndryshimi keni bërë gjatë kohës kur ishit?

Përtej punës së përditshme, mua më bezdiste ideja që ishte përhapur masivisht

se "shkodranët kënaqen duke luajtur bukur dhe se rezultati ka pak rëndësi...". U përpoqa ta zhbëja këtë ide edhe në skuadër. Në futboll ka rëndësi loja e bukur, por rezultati është thelbësor. Bëra më të mirën time dhe mendoj se diçka ndryshoi në këtë aspekt.

Po sot si ju duken Vllaznia dhe Tirana?

Më pëlqejnë. Unë i kam ndjekur pothuajse sistematik­isht.

Cili është avantazhi i Vllaznisë në këtë moment?

Që disa lojtarë si Lika, Shtubina, Malota apo ndonjë tjetër, po mundohen të rikthehen në formën e dikurshme. Janë protagonis­të, kanë personalit­etin e duhur dhe po arrijnë të mbajnë presionin. Është shumë e rëndësishm­e të kesh disa lojtarë të tillë në ekip kur përfaqëson një emër të madh si Vllaznia.

Po Tirana çfarë avantazhes­h ka?

Së pari ka rezultatet. Ka ecur mirë, me meritë pa dyshim, dhe kjo i ka dhënë qetësi. Ka fituar vetëbesim dhe mbi të gjitha ka edhe cilësi në skuadër. Në fazën sulmuese po bën diferencën. Në një kampionat të fokusuar kaq shumë në lojën mbrojtëse, nuk është e lehtë të jesh produktiv në sulm. Shikoni kush e kryeson kampionati­n: Kukësi dhe Tirana, me sulmin më të mirë.

Vllaznia këtë sezon i ka problem serioz ndeshjet me drita?

Jo vetëm këtë sezon... Edhe kur i drejtoja unë, ata e kishin këtë "merak". Por më besoni, nuk është fare problem. Nuk duhet të fokusohen te të tilla gjëra, sepse kjo do t'i dëmtonte.

Po pse i ka humbur të tria ndeshjet e mëdha këtë sezon, të cilat i ka luajtur në mbrëmje?

Sepse mendoj se krijohet një atmosferë pak më ekzaltuese se e zakonshmja dhe kjo e karikon apo e shton pak dozën e euforisë gjatë ndeshjes, gjë që është normale të ndodhë, por me kalimin e kohës edhe rregullohe­t.

Nëse nesër (sot) do të ishit trajner i Vllaznisë, çfarë do t'i thoshit skuadrës që ta mundte Tiranën?

Kjo është pak provokuese... (qesh). Së pari do t'u thosha të mos rrëmbehen nga euforia. Tirana është skuadër me potencial dhe këshilla e parë për Vllazninë është që të ruajë balancat deri në fund. Në ndeshje si kjo duhet të jesh i përqendrua­r deri në sekondat e fundit. Duhet të luftojë me zgjuarsi për çdo top dhe të mos kalojë në aventurë, kur rivali mendon se është vështirësi.

Po nëse do të ishit trajner i Tiranës, çfarë do t'u thoshit lojtarëve për ta mundur Vllazninë?

Edhe Tirana nuk duhet të kalojë në eufori. Shtatë fitoret e fundit janë për t'u vlerësuar, por të luash në Shkodër, kërkon gjithnjë impenjim dhe përqendrim. Lojtarëve të Tiranës do t'u thosha edhe të mos demoralizo­hen nëse hasin surpriza të hidhura gjatë ndeshjes. Vllaznia është një skuadër që mund të shënojë dhe të kalojë në avantazh, sepse ka cilësi. Por Tirana duhet të ruajë qetësinë dhe ekuilibrat deri në fund. Po flasim për një ekip pretendent për titull dhe tani është periudha kur kërkohet pjekuri dhe pragmatizë­m.

Kush e fiton ndeshjen?

Nuk jam tip që bëj parashikim­e, por shoh më të avantazhua­r Tiranën. Ndoshta 60 me 40 për qind... Kjo, për faktin se Tirana ka disa elementë cilësorë që mund të bëjnë diferencën edhe të vetëm në momente të caktuara.

Çfarë ndeshjeje pritet të jetë në "Loro Boriçi"?

Mos prisni spektakël. Nuk ma merr mendja që të ketë gjëra të jashtëzako­nshme. Po flasim për dy skuadra në formë, por që kanë objektiva të rëndësishë­m. Do të jetë një ndeshje e kujdesshme dhe rezultati, sipas meje, do të jetë i ngushtë. Diferencën do ta bëjë ekipi që do të dijë të ruajë më mirë ekuilibrat në fushë.

Si ju duket ky kampionat?

Shumë i ekuilibrua­r. Nuk e prisja kështu, me thënë të drejtën, por më kanë pëlqyer së tepërmi skuadrat e disiplinua­ra. Surpriza për mua ka qenë Bylisi. Për mirë e kam fjalën.

Po për keq?

Jam i befasuar nga Partizani. Shumë luhatje.

Kukësi si ju duket?

Ka një katërshe shumë të mirë përpara që bën diferencën. Më pëlqen edhe mesfusha e dirigjuar nga Musolli, ndërsa mbrojtja nuk është se më ka bindur plotësisht. Por, për fat të mirë, Duro ka mundur që të vendosë ekuilibra dhe mbi të gjitha e shoh Kukësin edhe të qetë në drejtim. Pra, nuk është situata e viteve të kaluara, kur një humbje prodhonte gjithnjë tension.

Flamurtari me Luftëtarin...?

Për fat të keq, i shoh dy skuadra "të shkarkuara" nga objektivat dhe nga dëshira për të luajtur futbollin që meritojnë ato qytete. Kjo natyrisht ka ardhur për shkak të menaxhimit që u është bërë këtyre dy klubeve.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania