Panorama Sport (Albania)

95 vjet më parë botohej “Gazeta e Sportit”

- Nga BESNIK DIZDARI

Amodeste, jo ishte një gazetë prej 4 faqesh të vogla, format 22.7 x 30.8 cm. Kish dalë dy herë në muaj dhe ishte shtypur në shtypshkro­njën...

SHKODËR 1925 - GAZETA E PARË SPORTIVE...

Ajo ishte një gazetë modeste, prej 4 faqesh të vogla, format 22.7 x 30.8 cm. Kish dalë dy herë në muaj dhe ishte shtypur në shtypshkro­njën "Nikaj" në Shkodër. Megjithatë, vlera e saj është e madhe. Si vlera e çdo gjëje që fillon për herë të parë, që çel një rrugë, që shkel në caqe të pashkelura. Është viti 1925. Viti i një Shqipërie e cila me vetëm 13 vjet pavarësi, megjithatë ish përshkuar përmes halleve të pafund për të mbijetuar. Dhe papritmas dikush mendonte se ky vend duhej të kishte edhe gazetën e tij sportive, përndryshe sportin e tij. Duhet të zbresim 95 vjet poshtë për të kuptuar, vlerësuar, matur, inkuadruar, peshuar, konfirmuar këtë ndërmarrje që patjetër ka vlera të kulturës kombëtare. 29 vjet para saj, më 1896, në Milano ishte botuar gazeta e parë e vërtetë sportive në histori: "La Gazeta dello Sport". Dhe për shumë vite në Evropë pakkush e kishte pasuar. Kësisoj, "Gazeta e Sportit" e Shqipërisë është pa dyshim ndër të rrallat në Europë dhe ta do mendja e para në Ballkan.

Një gjë është. Vështirë të ekzistojë një gazetë sportive në qoftë se nuk ka sport. "Gazeta e Sportit" e 1925-ës tregon se Shqipëria kishte sport. Sado modest të ketë qenë. Tjetër se i ç'përmase qe ai sport. Na e tregon këtë vetë "Gazeta e Sportit", model i vitit 1925. Me një tip letre si me ngjyrë, me shqiponjën dykrenare në ballë, më 30 tetor 1925 ajo pa dritën e botimit dhe kaloi dorë më dorë si një befasi, si një habi e vërtetë. Është vepër e Palokë Nikës, e të mirënjohur­it të fillimeve sportive në Shqipëri. Edhe unë kam pasur rastin ta njoh personalis­ht këtë pionier të sportit tonë, i cili ia kish arritur të jetonte edhe Konferencë­n e Parë Kombëtare të BFSSH më 1958 si delegat i saj. I moshuar, po trupdrejtë, 70-vjeçar, por entuziast, ky kryeredakt­or i parë sportiv i Shqipërisë ishte mbase i vetmi që ish përshkuar në ndryshimet kohore të sportit tonë. 33 vjet para 1958-ës, drejtori i "Gazetës së Sportit", Palokë Nika, dilte me programin e gazetës së tij, program i cili synonte:

"...Të ushtrohet edhe djelmënia e jonë në lamën e Atletizmës, që të ndjekim parimet për zhvillimin fizik trupnuer, që të përparojmë dhe na në fushatën e qytetënimi­t, muerëm iniciativë­n me formue shoqnina sportive të përbame prej djelmoçash të zgjedhun idealistë për përparim të kombit shqyptar...".

Vërtet ishin formuar këto shoqëri. Kishte lindur "Vllaznia", kishte lindur "Sportklub Tirana". Kishin lindur dhe ato të Elbasanit, Vlorës, Korçës, Durrësit... Në të vërtetë, në Shqipëri kishte lindur sporti, që si vetë Shqipëria, që si vetë kultura e saj kërkonte të mbijetonte edhe ai në kohëra tejet të vështira.

GAZETA E RRETHIT TË PARË ÇIKLISTIK TË SHQIPËRISË DHE E SPORTIT NDËRKOMBËT­AR...

Qysh në numrin e parë të "Gazetës së Sportit" mësojmë për Rrethin e parë Çiklistik të Shqipërisë, një ndërmarrje që në të vërtetë për kah risia, është shpallur europian. Patjetër që si rreth çiklistik amator, që siç kemi shkruar me kohë, është i pari në Europë. Dhe në numrin e parë të "Gazetës", në rubrikën "Post'e Jashtme" gjejmë botimin e letrës së shoqërisë së famshme çiklistike ndërkombët­are "Bjanki" e cila thekson:

"Me gëzim të madh morëme vesht të sjellunit e Shqypnisë me biçikleta. Ju urojmë suksese të plota dhe dëshirojmë që dhe ai komb kreshnik të marrë rrugën e shteteve të mdhaja në përparimin e fizikut të masës që sot asht e domosdoshm­e. Pritni urimet tona ma të përzemërta".

E pas saj një telegram nga një shoqëri franceze: "Gzohna që një shtet i vogël, por me shumë zell në përparim po i difton botës randësinë e sportit".

Rrethi i parë Çiklistik ishte zhvilluar në shtator. Gazeta e parë sportive, një muaj mbas tij. Dhe fitues i këtij rrethi, Jonuz Gjylbegu, mbulohet me dafinat e një fitimtari të pashembull­t. Sot, më 2020, jemi në dy 95-vjetorë si anë të një medaljeje. Çiklizmi që nxit daljen e një gazete. Gazeta që fikson çiklizmin. Dhe në numrin 3 të saj "Gazeta e Sportit" ka si sigël pikërisht biçikletën.

"Në horizontin e Shtypit Kombëtar sot duket edhe 'Gazeta e Sportit'", shkruhet në kryeartiku­llin e numrit 2. Dhe në ato 4 faqe të vogla ajo nxiton të rrokë gjithë hapësirën e sportit të kohës. Madje edhe atë ndërkombët­ar.

Nga një ndeshje futbolli në Vjenë, te gara 6-ditore e çiklizmit në SHBA, ku përmendet një Ghirardeli e një Binda, nga një ndeshje boksi në Berlin, te përgatitje­t për Olimpiadën e Amsterdami­t e ndeshjen e madhe të Anglisë 5-3 me Belgjikën, synohet të përshkohet në kufij të gjerë të një horizonti kulturor sportiv që e kishin autorët e "Gazetës së Sportit".

Dhe prapë çiklizmi - emblemë. Me sa duket, thjesht ngaqë ai ishte i vetmi sport që kishte arritur të zhvillonte një veprimtari të shkallës kombëtare, mbarëshqip­tare: të famshmin Rreth Çiklistik të 1925-ës, diçka krejt e habitshme për kohën. E më 1926 "Gazeta" boton në numrin 5 shkurtit një thirrje për rrethin tjetër çiklistik "Turi Ballkanik siç e përcakton ajo në të cilin deri tash nuk e ka bërë kurrë një shtet i këtij gadishulli".

Dhe mbas çiklizmit, natyrisht futbolli. Numër për numër. Faqe për faqe. Është vetë jeta e gjallë futbollist­ike e qytetit të Veriut me shoqëritë e tij të shumta e me emrat aq patriotikë "Lekë Dukagjini", "Republika", "Liria", "Djelmënia", "Gjergj Kastrioti", "Studenti", "Juventus". Apo me futbollist­ë të shquar të kohës, si Muhamet Halili e Lec Ndreka, Ibrahim Dizdari e Anton Mazreku, Elez Maha e Ahmet Ashikja, Rudolf Gurashi e Loro Kovaçi, aktori ynë i madh i mëvonshëm, Frederik Shiroka e Bahri Kopliku, dy mjekët tanë të shquar të viteve më mbas, shokë të shtrenjtë e të paharruar. Dhe jo vetëm kaq. "Gazeta e Sportit" kërkon të jetë e natyrës kombëtare. Aty gjejmë reportazhi­n e ndeshjes së Korçës në Manastir, të ndeshjes Durrësi - Tirana, të asaj të Shkollës Teknike me Normalen e Elbasanit. Do të gjejmë edhe portretizi­min interesant të futbollist­it të mirënjohur të Sportklub Tiranës, Selman Stërmasi. Do të gjejmë edhe urimin që gazeta i dërgon përmes faqeve të saj Gjirokastr­ës:

"'Gazeta e Sportit' gëzohet për shoqninë e re sportive që u formue në Gjirokastë­r, urime, suksese të plota për qëllimin e shenjtë...", siç shkruan ajo në numrin e 5 shkurtit 1925.

Në numrin 6 të saj do të gjejmë si gjegjës të redaksisë Musa Koplikun, i cili më mbas do të emërohej dhe drejtor në vend të Palokë Nikës, i cili mbetet përherë i zënë si organizato­r i palodhur veprimtari­sh. Mbase kjo do të ketë qenë arsyeja që kryeredakt­or është ky mik i prof. Avni Zajmit, Musa Kopliku, njëkohësis­ht edhe organizato­r sportiv pranë Drejtorisë së Arsimit në Shkodër. Në faqet e saj do të gjejmë edhe shkrimet e para të dala nga penda e një 17-vjeçari, që quhej Anton Mazrreku, kryeredakt­or i ardhshëm i një gazete të mëvonshme, siç do të ishte "Sporti Shqiptar" i viteve '30, si dhe redaktori i parë i "Sportit popullor" i 30 korrikut 1945. Në faqet e saj saktësisht në numrin e 10 tetorit 1926, do të gjejmë edhe tabelën e parë të klasifikim­it në historinë e sportit tonë. I përkiste turneut të futbollit të Shkodrës ku merr pjesë edhe Crna Gorac i Cetinjës. do të gjejmë aty sqarimin klasik: dy pikë për fitore, një për barazim. Mënyra europiane e klasifikim­it që në Shqipëri, siç ka shkruar A. Mazrreku, për herë të parë e kishte treguar në vitet '20, daja i tij, patrioti i madh Luigj Gurakuqi.

2020 - NGA 95-VJETORI I "GAZETËS SË SPORTIT" TE

PLOT JUBILE TË TJERË...

Sidoqoftë, jeta e "Gazetës së Sportit" do të merrte fund së bashku me vitin 1926. Po gjithsesi, kjo pioniere e publicisti­kës shqiptare e ka zënë një vend, sado modest qoftë ky. Në vetvete ajo përbën një iniciativë të realizuar. Dhe iniciativa­t asisoj gjithmonë kanë vend të nderuar. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një iniciativë shqiptare të përmasave ballkanike për kohën. Në vlerat publicisti­ke gazeta shquan për kulturën e të shkruarit, stilin origjinal, ndonjëherë edhe polemizues, dendësinë e informacio­nit (mbi të gjitha kjo) dhe ndoshta ia vlen të studiohet sidomos për kah vlerat e reportazhe­ve të para të gazetarisë sportive. Gjithmonë pasi ta nderosh për më të rëndësishm­in: fiksimin e fillimeve të sportit të organizuar me devotshmër­i e ndjenjë kombëtare në Shqipëri dhe në shtytjen që u përpoq që t'ia jepte.

Kësisoj, ky 95-vjetor i së parës gazetë sportive shqiptare, që përkon me 95-vjetorin e Rrethit të parë Çiklistik të Shqipërisë, përmbledh në një dy ngjarje që na kujtojnë se traditat tona sportive u rrinë pranë me dinjitet vetë traditave të kulturës sonë kombëtare. Dhe Shkodra si gjithnjë në ballë, si gjithnjë e para: shpikëse, iniciatore, themeluese, udhërrëfye­se për krejt kulturën kombëtare. Gjithsesi, jemi ende në fillim. Duhet të gjurmojmë më tej. Thesari është i pashtershë­m.

Kur "Panorama Sport" do t'i kthehet ribotimit të saj, pra në "shtypin e shkruar në letër", besoj se do t'i kthehemi prapë "Gazetës së Sportit" të 1925-ës me të reja të tjera befasuese rreth saj. Ky i sotmi është një shkrim për portalin e këtushëm, që në këtë vit pandemie virusi po përkon me gjithë këta jubile të sportit shqiptar: 95-vjetori i Kampionati­t të parë Kombëtar të Futbollit; 95-vjetori i gazetës së parë sportive; 95-vjetori i Rrethit të Parë Çiklistik të Shqipërisë; 75-vjetorët e Kampionate­ve Kombëtare të Basketboll­it e të Volejbolli­t; 80-vjetorit të fillimit të punimeve për ndërtimin stadiumit të parë në Shqipëri; 70-vjetori i themelimit të një prej klubeve më historike të Shqipërisë, sidomos në futboll e në volejboll, që është Dinamo - sot e flakur tej; 85-vjetori i themelimit të gazetës "Sporti Shqiptar" gjithashtu sot e zhdukur; për të mos harruar 90-vjetorin e Kampionati­t të parë të Atletikës së Lehtë, që sapo e kemi tejkaluar disa muaj. E, pse jo, edhe plot të tjera...

Këto janë histori që i bëjnë nder Shqipërisë. Nuk janë përralla...

 ??  ??
 ??  ?? Kopertina e “Gazetës së Sportit” të vitit 1925
Kopertina e “Gazetës së Sportit” të vitit 1925

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania