Kutinjo mbyll sezonin, Rumenige: Finale me Borusian
"Ekipi i Lysjen Favre, i vetmi që mund të na e ndalë hapin"
Karl Hainc Rumeni ge nuk kërkon që skuadra e tij të humbasë kohë. Drejtori ekzekutiv në klubin gjerman u shpreh për mediat se lojtarët duhet të jenë të përgatitur për çdo situatë, pasi diferenca me vendin e dytë, Borusian e Dortmundit, është e vogël duke parë që është për t'u luajtur edhe një ndeshje me verdhezinjtë. "Të gjithë e dimë se me nisjen e kampionatit skuadrat do ta kenë të vështirë për të hyrë menjëherë në ritëm. Kjo ishte një nga ndërprerjet më të gjata të ndodhura në skuadrën tonë. Kam folur me Hansi Flik dhe ashtu siç u shpreh edhe vetë ai, Bajerni është gati ta rinisë kampionatin me të njëjtën uri sikur të ishte java e parë", tha Kalle. Ndeshja direkte në Dortmund do të jetë një treguese e mirë për skuadrën që do të fitojë titullin në fund të qershorit. "Edhe pse më parë duhet të luajmë dy ndeshje të tjera, mendja e të gjithëve është te përballja me verdhezinjtë që tani ndodhen pas nesh në renditje. Është një klasike e cila gjithmonë ka dhuruar sfida interesante. Edhe pse këtë herë do të jetë disi ndryshe për shkak se nuk do të ketë asnjë tifoz në stadium. Por përballje të tilla nuk kanë nevojë për motivim, jam i bindur se do të japim një sinjal të fortë në luftën për titull". KLOSE, I DUHURI - Rumenige u ndal edhe te Miroslav Klose, asistenti i ri i trajnerit Hansi Flik. "Miro është një njeri me personalitet të lartë, ai ka shënuar shumë dhe ka fituar shumë me Bajernin dhe Gjermaninë. Ai zgjodhi të bëhej trajner dhe deri tani puna e tij në akademi ka qenë për t'u admiruar. Lojtarët e rinj kanë mësuar shumë nga eksperienca e tij. Klose punon fort, vjen i pari dhe largohet i fundit nga qendra stërvitore, ky është një mesazh i fortë për lojtarët të cilët
e admirojnë atë. Jam i bindur që ai do të vazhdojë të jetë i suksesshëm edhe në rolin e asistentit të dytë. Flik e njeh mirë Miron dhe e di se atij mund t'i besohej kjo detyrë e re. Është një fillim i ri për të dhe i uroj një karrierë sa më të suksesshme këtu", përfundoi Rumenige.