Gjici: Të nisë stërvitja për për dy dy ditë ditë ose ose mbylleni mbylleni
"Jo çdo gjë që thotë Takaj e Daja duhen marrë për bazë"
Reagon edhe kreu i Flamurtarit, Idrizi: E pamundur në këto kushte
Nëse stërvitja nuk nis për 2-3 ditë, Safet Gjici bën thirrje që kampionati të mbyllet këtu. Edhe pse është titulli në lojë, presidenti i Kukësit mendon se çdo vonesë tashmë do të rëndojë mbi klubet dhe lojtarët. Në një prononcim të dhënë enkas për "Panorama Sport", numri një i klubit ngre si shqetësim edhe çështjen e karantinimit 14-ditor për ata lojtarët që kanë mbetur jashtë kufijve, ndërsa nuk ngurron që të komentojë edhe skemën. Ai del kundër Ardjan Takajt dhe Ilir Dajës, ndërsa hapur thotë që nuk mund të merret për bazë çdo ide që vjen nga kampi i Skënderbeut.
Nuk ka qenë i pranishëm në asamble, ndaj nuk ka informacionin e duhur për atë që është diskutuar në mbledhjen e zhvilluar "online" nga FSHF-ja. E megjithatë, kjo nuk e pengon që të ngejë shqetësimin e tij për ekipin që financon. "U zhvillua asambleja e jashtëzakonshme, e megjithatë do të informohem fiks nga drejtuesit e klubit për atë çfarë është thënë apo diskutuar. Sa i përket rifillimit ose jo të sezonit, unë jam i mendimit që nëse stërvitja vonohet më shumë se dy-tri ditë, më mirë kampionati të mos nisë fare. Nuk ka më kohë fizike që lojtarët të bëhen gati për të luajtur nëse shtyrjet vazhdojnë. Nëse do bëjmë një bilanc kohor, ka më shumë se dy muaj që lojtarët rrinë nëpër shtëpitë e tyre e pa u stërvitur, ndaj më e pakta që duhet t'u ofrohet është një minifazë përgatitore që të jenë gati për rinisjen. Nëse ndodh kjo, të paktën do të kenë mundësinë që të fitojnë kondicion fizik në masën mbi 50-60 për qind. E nëse do zgjatet nisja e kampionatit ose të paktën nisja e stërvitjes, kjo do ishte e pamundur. Së pari do rrezikonim dëmtime serioze për lojtarët dhe së dyti nuk do pasqyrohej gara siç duhej. Pra, kampionati nuk do jetë i ndershëm, pasi lojtarët nuk janë në kushtet më të mira fizike, psikologjike dhe kohore. Temperaturat janë një shkak tjetër i rëndësishëm, pa harruar intensitetin e ndeshjeve. Si do të mund të mbyllet kampionati para 2 gushtit, nëse stërvitja do mund të nis me datë 14, 18 apo më vonë? Pra unë gjykoj që kampionati më
mirë të mos luhet, sesa të vonohet kaq shumë. Kjo prish projektet tona për Kupat e Europës", u shpreh fillimisht numri një i nënkampionëve në fuqi të vendit.
Problemi tjetër madhor, sipas presidentit të Kukësit, është riatdhesimi i 7 lojtarëve që janë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe Gjermani. "Pa shkuar te protokolli i bërë nga ministria dhe federata, i cili do të jetë shumë i vështirë që të zbatohet nga të gjitha ekipet, unë kam një merak tjetër. Dhe po ju jap një shembull: Nëse një lojtar është i infektuar dhe infekton në masë shokët e ekipit apo edhe kundërshtarët, i bie që ekipet do të tërhiqen. Po më pas çfarë do të ndodhë?! Pra, duhen menduar mirë të gjitha gjërat. Më pas problemi i madh për Kukësin janë lojtarët jashtë dhe karantina e tyre. Si do të qëndrojnë lojtarët në izolim për 14 ditë, pasi ne si ekip dëmtohemi drejtpërdrejtë? Na ndikon direkt në garë duke qenë se kemi një masë të madhe futbollistësh kryesore jashtë. Pra, edhe ky është një problem që duhet zgjidhur", theksoi ai.
Safet Gjici komenton edhe çështjen e verdikteve nëse nuk rinis sezoni, si edhe formulën e kampionatit për sezonin e ri. "Zgjidhje është që të nisin stërvitjet për 2-3 ditë sikundër e thashë më lart, pasi s'ka më kohë. Çështjen e titullit pastaj ta vendosë UEFA me federatën tonë dhe kriteret ata i dinë më mirë, ndoshta do merret rankimi dhe pikët që kanë klubet në rang europian. Gjithsesi, kjo është një pjesë që u përket atyre. Por, deri në 2 gusht të përmbyllen të gjitha dhe të nisë stërvitja aq vonë nuk shkon për arsyet që unë ju rendita më lart. Për skemën jam me 10 ekipe, pasi ne kemi provuar me 12 dhe 14 ekipe. Me kaq sa jemi është bërë kampionati më i fortë dhe prestigjioz. Jo çdo gjë që thotë Takaj apo Daja duhet të merret për bazë", përfundoi presidenti i verilindorëve.