Paolo Maldini sulmon Rangnikun: Njeri pa respekt
Karantinë dhe vendime, 14 ditë të zjarrta për suedezin
Pozicioni i Paolo Maldinit dhe largimi i mundshëm i Stefano Piolit janë dy elementë që pritet të kenë ndikim të madh në vendimin e Zlatan Ibrahimoviçit për të vazhduar ose jo bashkëpunimin me Milanin për një tjetër sezon. Mendimet e suedezit mund të ndikohen edhe nga biznesi. Në fakt, falë tij, klubi i Hamarbit ka parë përfitime në shumë drejtime gjatë muajve të fundit. Duke qenë se është edhe aksioner, Ibra mund të vendosë të vijojë të luajë në Suedi, ku edhe pse konsiderohet kampion, nuk ka fituar kurrë asgjë. Lidhur me këtë hipotezë ka folur edhe Jesper Janson, drejtori sportiv i Hamarbit, që për gazetën "Expressen" ka sqaruar: "Mundësitë që të luajë për ne janë konkrete, por vendimin e ka në dorë vetë Ibra. Nuk na ka thënë ende asgjë e as nuk ka nevojë të dëgjojë gjë nga ne që e duam në ekip. Për nga mënyra se si është gatuar, mendoj se vendimin e tij do ta njohim vetëm kur të jetë 100 për qind i bindur".
KARANTINA
Vetë Zlatan Ibrahimoviç ka zbarkuar dje në Milano, ku nga sot nis karantina e tij 14-ditore e detyrueshme. Ditë reflektimi këto për suedezin që do të monitorojë nga afër situatat te Milani përpara se të vendosë se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij. Teksa do të mundohet me stërvitje shtëpiake që të ruajë formën e gjetur në radhës e Hamarbit në Suedi, 38vjeçari mund të ketë edhe ballafaqimin e shumëpritur me Ivan Gazidhisin. Klubi thuhet se i ka propozuar 4 milionë euro për një vit bashkëpunim, teksa më shumë sesa paratë, suedezit i interesojnë planet e klubit. Pa Maldinin dhe Piolin çdo gjë ndërlikohet, por do të jetë mendimi i Rangnikut që mund të rezultojë vendimtar. Nëse gjermani i garanton rol protagonisti, atëherë Ibra do të qëndrojë, përndryshe, aventura e tij e dytë milaniste do të mbyllet sapo të ulen perdet mbi sezonin 2019-'20 të Serisë A.