Interi, Juventusi dhe Milani, vazhdon lufta për shokun e Ndojit
Këmbë të edukuara dhe vizion loje i mundësojnë që të luajë pa problem në çdo zonë të mesit të fushës. Pavarësisht skemës, Sandro Tonali përbën një garanci e jo më kot Roberto Mançini e ka përfshirë me kohë në grupin "axurr" që u kualifikua me pikë të plota në Europian. 20 vitet e djaloshit janë thjesht një numër që nuk bie në sy dhe pavarësisht se Bresha e tij lundron në ujërat më të turbullta të Serisë A, mesfushori vijon të jetë në mendjen e klubeve më të mëdha italiane dhe evropiane. Menaxheri i tij ka deklaruar se Sandro dëshiron të rritet ne Itali, ndaj në garën për shërbimet e tij, "kombësia" e ofertave do të ketë një rëndësi të dorës së parë.
- Në gjurmët e Tonalit prej kohësh është vendosur Juventusi që ndjekjen do ta bëjë edhe më të ashpër nëse konfirmohen zërat e largimit të Miralem Pjaniçit. Regjisori që i ngjan Pirlos, jo vetëm në pamje, mund të jetë pasuesi i boshnjakut në radhët e kampionëve të Italisë. Edhe Interi e dëshiron shumë 20-vjeçarin dhe pas miratimit të Antonio Kontes, këmbëngulja zikaltër mund të përforcohet. Në shembullin e Barelës dhe Sensit, Tonali mund të jetë prurja e re italiane për mesfushën e Interit, klub që duket se i ka shkëputur edhe një gjysmë premtimi djaloshit. Teksa në merkato luhet derbi i Italisë, vera mund ta na ofrojë edhe një derbi të Milanos për shokun e Emanuele Ndojit. Në fakt, kuqezinjtë i drejtohen një tjetër revolucioni dhe mund të përfitojnë për të bindur Tonalin falë një oferte të mirë për Breshan. Mesfushori në fakt nuk e ka fshehur kurrë pasionin për ngjyrat kuqezi dhe veçanërisht për Xhenaro Gatuzon që duke përfituar nga situata mund të tentojë ta marrë djaloshin në radhët e Napolit.