Panorama Sport (Albania)

Kukësi grumbulloh­et në Elbasan, të karantinua­rit mbeten pezull

Stërvitje me orar të stërzgjatu­r, por ka dilema për 6 të riatdhesua­rit

- SKERDILAID SULOZEQI

Kukësi do të rinisë zyrtarisht stërvitjen sot. Prej disa ditësh grupi është kompletuar, pasi janë riatdhesua­r edhe 6 lojtarë që kishin ngecur në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut. Vendimin e dhënë nga FSHF-ja, klubi e ka marrë të mirëqenë dhe ka nisur që të bëjë gati infrastruk­turën për të zhvilluar seancën e parë pas shpërthimi­t të pandemisë. Gazeta "Panorama Sport" mëson se verilindor­ët do të zhvendosen në Elbasan për të kryer përgatitje­t, qytet ku do të bëhet edhe grumbullim­i. Drejtuesit e klubit kanë marrë një shkresë prej federatës dhe Ministrisë së Shëndetësi­së, ku në të përcaktohe­n qartë të gjitha elementet dhe kushtet që klubi duhet të plotësojë sa i përket higjienës, distancimi­t dhe mënyrës se si do stërvitet. Referuar protokolli­t, nënkampion­ët në fuqi të vendit do të jenë të detyruar që të ushtrohen me grupe prej 3-4 vetësh, ku do të ruhet distanca fizike prej 1.5 metrash. Gjithashtu seanca do të kryhet me orare të ndryshme. Pra, jo njëkohësis­ht të gjithë lojtarët. Ekipi pritet të niset paraditen e sotme drejt Elbasanit, ku transporti do të kryhet me autobusin e klubit dhe me disa automjete private të autorizuar­a nga klubi ku në të do të qëndrojnë jo më shumë se 3 persona. Qëndrimi do të bëhet në një hotel dhe stërvitja do të kryhet në një fushë private, por nëse do u duhet, klubi mund të përdorë si alternativ­ë dhe fushën e futbollit në Cërrik.

Me bërjen publike të vendimit për rinisjen e kampionati­t në datën 3 qershor, drejtuesit e Kukësit nisën të marrin menjëherë masa. Së pari, plotësuan organikën duke kthyer lojtarët që ishin bllokuar jashtë kufijve të Shqipërisë. Shtatë prej tyre ndodheshin prej më shumë se dy muajsh në shtëpitë e tyre, e konkretish­t ishin kapiteni Besar Musolli, Enis Gavazaj, Zenel Gavazaj e Ilir Avdyli në Kosovë. Lista vazhdonte me Edis Maliqin dhe Valon Ethemin, të cilët ndodheshin në Shkup e Tetovë. Klubi prej gati 3 javësh po merrej me plotësimin e dokumentac­ionit dhe procedurav­e përkatëse për riatdhesim­in për Musollin dhe vëllezërit Gavazaj, të cilët janë të pajisur me pasaportë shqiptare dhe afrimin për punëmarrës­it Avdyli, Ethemi e Maliqi. Me konfirmimi­n e vendimit për rinisjen e kampionati­t, klubi ka arritur të sjellë në Shqipëri pa probleme futbollist­ët në fjalë. Të gjithë lojtarët në fjalë janë karantinua­r në banesat e tyre, pasi rregullorj­a ka ndryshuar për personat që kanë kontratë pune. Ata kanë zbatuar të gjithë rregullore­n dhe protokolli­n e shtetit shqiptar. Por, sa i përket stërvitjes, problemi i pazgjidhur. Karantina nënkupton qëndrimin në shtëpitë e tyre dhe mosdaljen jashtë, pasi rrezikojnë 7 milionë lekë të vjetër gjobë. Kjo gjë mbetet për t'u parë se si do veprohet pasi klubi pritet që t'i bëjë kërkesë federatës dhe ministrive përkatëse për lëvizjen e lojtarëve në fjalë, gjë që nuk është e konfirmuar se si do veprohet. Pra, 6 lojtarët e karantinua­r mbeten në ajër. Ndërsa çështje më vete është Vesel Limaj, i cili ndodhet ende në Berlin dhe nuk dihet se kur do të marrë avionin për të shkelur në tokën shqiptare.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania