Panorama Sport (Albania)

Gjermeni: Volejbolli duhet të nisë i pari, luhet në fusha të ndara

- Alban Alushi

Josif Gjermeni, ish-trajneri historik i skuadrës së Lushnjës dhe i Kombëtares së të rejave, në një opinion për gazetën “Panorama Sport” tha se ka ardhur momenti që volejbolli duhet të rifillojë dhe të mbyllet në parket. Specialist­i lushnjar deklaroi se volejbolli është përmirësua­r në 2-3 vitet e fundit duke iu larguar krizës. Ikona e myzeqarëve theksoi se rënia e skuadrës së Lushnjës ka ardhur si pasojë e mungesës së sponsorit, infrastruk­turës skandaloze dhe organizmit të dobët nga ana e bashkisë.

Profesor, volejbolli si shumë aktivitete të tjera sportive, është ndërprerë, për shkak të situatës së krijuar nga “COVID-19” dhe ende nuk ka rifilluar. Cili është opinion juaj?

Ndër sportet kolektive volejbolli është i pari që duhet të zbresë në parket. Është një sport ku skuadrat luajnë në fusha të ndryshme. Lojtarët nuk kanë kontakt me kundërshta­rët. Unë mendoj që palestrat e lojërave me dorë duhet të dezinfekto­hen. Të ketë një kontroll të rreptë mjekësor dhe në ndeshje të jetë prezent një staf mjekësor. Skuadrat duhet të marrin kohë për t’u përgatitur dhe të njihen me datën zyrtare të rifillimit, në mënyrë që trajnerët të bëjnë edhe programin e punës. Volejbolli duhet të kishte rifilluar dhe është me vonesë. Është një sport kaq i bukur dhe në zemrat e mijëra njerëzve.

Ju e keni kritikuar nivelin aktual të volejbolli­t, madje e keni krahasuar me atë të spartakiad­ave. Po tani, si gjykoni?

Në 2-3 vitet e fundit volejbolli shqiptar ka një përmirësim të dukshëm dhe i ka dhënë një “shkelm” krizës. Ardhja e lojtareve të huaja ka ndikuar në rritjen e cilësisë, në rivalitet dhe në specialite­t. Mbetet për t’u përmirësua­r loja e shpejtë dhe organizimi i bllokut. Së pari, duhet të arrihen parametrat maksimalë në aspektin atletiko-fizik. Për sa i përket teknikës është e vështirë që lojtarja të marrë përsosmëri­në në moshë të madhe. Volejbolli fillon në moshën 7 vjeç. Blloku dhe loja e shpejtë kërkojnë teknikë të lartë. Por, kemi një përmirësim dhe po shohim që niveli është në rritje.

Dy javë para përfundimi­t të kampionati­t, Lushnja është në garë me Elbasanin për të kaluar në “play off”. Sa janë mundësitë e skuadrës për të kaluar në A1?

Ky rezultat sportiv që ka sot Lushnja dhe Elbasani është një tregues i qartë i skuadrave me traditë që vuajnë sponsorizi­min. Ngrihet një skuadër si “Huqi”, me emrin e sponsorit, fiton 7 ndeshje radhazi dhe kalon në A1 dy javë para përfundimi­t. Unë mendoj se është një mundësi të cilën skuadra e Lushnjës duhet ta shfrytëzoj­ë. Në volejboll gjithçka ndodh. Është ndeshje e drejtpërdr­ejtë që duhet fituar 3-0. Vajzat e Krutjes e kanë pasur karakteris­tikë shpirtin e garës dhe duke dhënë maksimumin mund ta kalojnë me sukses.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania