Panorama Sport (Albania)

Milani po gabon me legjendat, ja frika ime për... gjermanët

- Nga ARRIGO SAKI

Tifozët e Milanit këto kohë janë të shqetësuar. Për Koronaviru­sin, por edhe për të ardhmen e skuadrës së zemrës e cila ka kaluar nga 25 vite përrallore të epokës "Berluskoni" në rezultatet mediokre të sezoneve të fundit. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, klubi po lë rrugës edhe ikona të asaj periudhe fantastike. Boban iku e mund ta ndjekë Maldini. Ish-lojtarë të mëdhenj dhe njerëz inteligjen­të që gëzojnë respektin e tifozërisë, por jo vetëm. Për fatin e tyre të keq, klubi nuk pati durim e ide të njëjta me ta. Me kalimin e ditëve shtohen zërat se Milani kërkon drejtues të rinj. Përmenden emrat e Rangnikut si drejtor teknik e të Nagelsmani­t si trajner. Pa dyshim profile prestigjio­ze, por që nuk i njohin rreziqet e Serisë A. Kjo kuqezi mund të jetë një kthesë e fortë, por rreziku qëndron në thelbin e çdo aventure me risi, pa të cilat mund të përfundosh në rutinë. Sipas mendimit tim, ideja e Milanit për prurje në aspektin teknik mund të jetë interesant­e, por kërkon kompetencë e sidomos aftësi. Që nga krerët e deri të asistentët kanë nevojë për të krijuar një sens përkatësie. Akoma më i rëndësishë­m ky aspekt për futbollist­ët që duhet të ndihen krenarë që luajnë për Milanin, një ndër shoqëritë më fituese dhe prestigjio­ze në botën e futbollist. Lojtarët duhet të jenë profesioni­stë, por edhe mirënjohës, fundja një ekip i madh është "pjellë" e një shoqërie të madhe. Milani niset me superiorit­et moral për shkak të historisë, fitoreve, e sidomos me miliona tifozë që ka pas vetes. Me rregullat, stilin dhe vizionin e tij, klubi vjen përpara skuadrës e cila vlen më shumë se çdo individ. Milani i kohëve të arta kishte një karakteris­tikë thelbësore: emocioni me të cilën përjetohej futbolli në çdo stërvitje apo ndeshje. Vlerat etike vinin gjithnjë të parat sepse për të ndërtuar një skuadër të madhe ka dy rrugë: Të afrosh më të mirët e botës duke u sfilitur ekonomikis­ht ose të ndërtosh një skenar për të cilin përshtaten lojtarët me talent që kë ne grup. Tifozët kuqezinj dinë t'i dallojnë ata që japin gjithçka, ndaj mendoj se nevojiten lojtarë me vendosmëri të lartë. Kjo, sipas meje, është rruga për ndërtimin e një ekipi konkurrues, bashkëpunu­es dhe komunikues. Edhe trajneri do ta kishte më të lehtë për të përmirësua­r lojtarët nëse nga ana e tyre do të kishte predispozi­ta ndaj mësimit. Një nga rrugët drejt suksesit është edhe entuziazmi, i mbështetur, sigurisht, nga këmbëngulj­a. Klubi dhe trajneri duhet të jenë në gjendje të mbrojnë një ëndërr të madhe të cilën më pas skuadra duhet ta shndërrojë në një sfidë kolektive. Nëse buxheti do të jetë i kufizuar, atëherë do të nevojiten më shumë ide e më tepër punë. Të rinjtë janë thelbësorë sepse kanë aftësi për të mësuar shpejt dhe një entuziazëm që nuk gjendet askund. Një trajner i zoti dhe me aftësi bindëse do të dijë t'i shndërrojë të rinjtë në lojtarë konkurrues. Futbolli është një lojë kolektive me momente individual­e dhe jo e kundërta, ndaj synimi duhet të jetë futbolli kolektiv me lojën që ushqehet nga pasioni, bujaria, entuziazmi dhe trimëri. Kuraja na bën të lirë, si e bukura dhe idetë, e na afron me të ardhmen. Tifozi kuqezi është një estet i cili dëshiron që ekipi i tij të fitojë me meritë dhe emocione. Milani bëri historinë me fitore që përmbanin mesazhe epike dhe leksione stili. Paç fat i dashur Milan!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania