Romanjoli në treg, Barça e Juvja “klientet” e para
Katalansit ofrojnë dy lojtarë, "Zonja" vetëm Ruganin
Alesio Romanjoli me kontratën e tij për faqëson një tjetër problem për Milanin. Kapitenit i skadon akordi më 30 qershor të vitit 2022 dhe pavarësisht se nuk ka ngut, drejtuesit duan të bisedojnë rinovimin. Aktualisht ai arkëton 3.5 milionë euro, por kuqezinjtë me politikën e rrogave "Deri në 2 milionë €" duan t'i propozojnë një ofertë 5-vjeçare me 2.5 milionë euro në vit. Vështirë se 26-vjeçari do të pranojë dhe i shtyrë nga Mino Raiola mund të kërkojë gjetkë aventura e rroga më të mira. Si në rastin e Ibrës apo Donarumës, menaxheri kërkon informacion të plotë mbi projektet e klubit përpara se të ulet të bisedojë konkretisht për shifrat.
PËRFITUES
Me Romanjolin që do të shitet nëse nuk rinovon, klubi që pret ta "punësojë" raportohet të jetë Barcelona. Sipas "Sportmediaset", katalanasit kanë ecur me planin duke menduar t'i ofrojnë mbrojtësi një kontratë 4-vjeçare nga e cila do të përfitojë 4 milionë euro çdo sezon. Në pamundësi për të ofruar 50 milionë
euro për kartonin e Romanjolit, thuhet se do të ofrohen në këmbim kartonët e Zhan Kler Todibos dhe Emersonit. I pari do të kthehet në "Camp Nou" pas huazimit te Shalke, teksa dyti do të bëjë të njëjtën gjë sapo të përfundojë vitin e
huazimit te Betisi. Mbrojtësit pëlqehen shumë nga Milani, që mund të pranojë shkëmbimin mes tyre dhe Romanjolit.
PISTA JUVE
Në valle për shërbimet e Romanjolit është edhe Juventusi, madje prej më
gjatë sesa Barça. Problem për bardhezinjtë mund të behët oferta pasi ofrojnë një shkëmbim me Daniele Ruganin plus një shumë të vogël në favor të "Djallit". Milani pëlqen të marrë në këmbim një mbrojtës nga Juvja, por emri i preferuar është ai i Merih Demiralit. Turku po e merr veten nga dëmtimi, por në raportin cilësi-moshë, përfaqëson pikërisht atë që kërkojnë kuqezinjtë të cilët me Ralf Rangnikun në krye duan një skuadër me moshë mesatare 23 vjeç.