Zbulohet plani për transfertat, trena, autobusë e avionë, ja rregullat
Liga e SeriaA, në pritje të takimit të 28 majit mes institucioneve sportive dhe kryeministrit të Italisë, Xhuzepe Konte, ka zbardhur dje edhe planin se si skuadrat elitare të futbollit do të udhëtojnë në transferta. Dhe nuk po flasim vetëm për protokollin që duhet ndjekur në stadiume, por edhe për mënyrën se si ekipet do të mbërrijnë në destinacionet e tyre, sidomos kur do t'i duhet të luajnë jashtë fushe. Rregullat e përgjithshme përfshijnë prezencën e të gjithë kontingjentit të skuadrës, në krye të së cilës do të qëndrojnë personat e specializuar për kontrollin e higjienës, por ka indikacione specifike edhe për zgjedhjen e udhëtimeve që do të përdorin skuadrat, qoftë ky autobus, trena apo avionë.
Kjo është zgjidhja më e sigurt nëse distancat e lejojnë. Gjatë udhëtimit nuk do të ketë ndalesa gjatë rrugës, ndërsa skuadra e përbërë nga lojtarët, stafi teknik e mjekësor apo edhe drejtues, do të shpërndahet në dy autobusë. Shoferët e autobusëve do të kenë të njëjtin trajtim dhe përkujdesje si pjesa tjetër e skuadrës, madje do të ndjekin të njëjtat rregulla si futbollistët etj. gjatë qëndrimit në hotel.
Skuadrat do të kenë vagonët e tyre ekskluzivë, të cilët do të higjienizohen përpara mbërritjes së skuadrës. Për më shumë, me ndihmën e policisë së hekurudhës do të hapet një "kanal" kalimi vetëm për skuadrën që do të ngjitet në bord, për të evituar çdo kontakt të mundshëm me pasagjerët e tjerë.
Zgjidhja e privilegjuar do të jetë ajo me çartera, të cilën duhet ta konfirmojë autoriteti aeroportual. Procedura e këtij udhëtimi do të kërkojë që ekipi të ngjitet në avion, direkt nga autobusi që do t'i shoqërojë lojtarët, nga qendra stërvitore apo hoteli, në aeroport.
Për akomodimin parashikohet një ndarje ekskluzive me ambiente dhe korridore ekskluzive që do të përdoren vetëm nga skuadra. Madje, edhe shkallët dhe ashensorët (nëse këto do të përdoren) do të përdoren vetëm nga një person i vetëm, i cili duhet të mbajë të veshura detyrimisht maskë dhe doreza (masë kundër prekjes së parvazeve apo butonave të ashensorit). Çdo futbollist do të ketë dhomën personale dhe e gjithë skuadra duhet të jetë në të njëjtin kat. Gjatë periudhës së akomodimit, asnjë person, qoftë edhe sanitaret e hotelit, nuk do të kenë akses për të pastruar dhomat e asnjë pjesëtari të skuadrës. Për të ushqyerin, zgjidhja do të jetë ose një mensë e personalizuar, ose çdo pjesëtari të ekipit do t'i dërgohet ushqimi sipas menysë në dhomat e tyre.