Plani “B”, Partizani merkato me të huazuarit
Tri rikthime janë të sigurta, në monitorim e ardhmja e Asanit
Partizani për momen tin e ka të bllokuar merkaton në hyrje, ndaj planet që kishin bërë drejtuesit për revolucionin gjithëpërfshirës janë pezull. Të kuqtë janë dënuar nga FIFA që në dy sesionet e radhës të mos bëjnë merkato në hyrje. Kjo ka ardhur si rezultat i gjyqit të fituar nga Istra, që paditi Partizanin për federimin e Erald Çinarit në verën e 2018-ës. Klubi kryeqytetas e ka apeluar vendimin në KAS-in e Lozanës dhe pret që brenda gushtit të pezullohen efektet prapavepruese të dënimit të FIFA-s, dukë bërë të mundur që Partizani të jetë aktiv në merkato. Në kushtet e bllokimit, ekzistojnë plane "B", "C" etj., që të kuqtë të gjejnë hapësira për të forcuar ekipin. Marrja e lojtarëve nga të rinjtë dhe Partizani B është e mundur apo mund të federojnë lojtarë tek ekipi i dytë, ku pas debutimit atje, ata mund të kontribuojnë për skuadrën e parë. Plani më konkret për forcimin e skuadrës në kushtet e bllokimit është rikthimi i lojtarëve të huazuar, proces i cili ka nisur që në fillim të qershorit.
LUKAS DHE ÇIKANI Në merkaton e dimrit Partizani huazoi dy lojtarë te Besa e Kavajës, Lukas Kardozo dhe Dionis Çikani, proces i cili u krye edhe me blerjen e kartonit të sulmuesit Tedi Cara. Të dy lojtarët janë rikthyer te "demat" dhe që nga java e parë e qershorit stërviten me ekipin, ndonëse nuk kanë mundësi aktivizimi në këtë fund kampionati. Braziliani është një përforcim për fazën sulmuese, pasi Lukas mund të luajë në të dy krahët e sulmit. Dionis Çikanin të kuqtë ia "rrëmbyen" Tiranës në janar dhe 21-vjeçari shikohet si një lojtar me të ardhme dhe përforcim me vlera në mesfushë dhe sulm. Ndonëse merkatoja është e bllokuar, të huazuarit mund ta përforcojnë pa problem Partizanin me kthimin e tyre.
HYSENI DHE ASANI Alesio Hyseni dhe Jasir Asani ishin dy lojtarët që Partizani huazoi në janar jashtë vendit. Mesfushori vlonjat u huazua në Ishujt Faroe. Huazimi ishte i vlefshëm deri në fund të qershorit dhe më pas KI Klaksvik e riktheu Hysenin te Partizani. 23-vjeçari është nën kontratë me të kuqtë, ndaj në kushtet e merkatos së bllokuar është një mundësi përforcimi për "demat". Në dallim nga tre lojtarët e mësipërm,
ndryshe është situata e Jasir Asanit, të cilit i është zgjatur huazimi tek AIK Stokholm deri në fund të gushtit, ku suedezët kanë klauzolën e blerjes. Nëse merkatoja nuk zhbllokohet, nuk është çudi që Partizani ta kthejë Asanin për të forcuar ekipin, të paktën edhe për një vit.