Ndryshon situata, De Laurentis kërkon të mbajë shqiptarin
Shtohen shanset që Hysaj të rinovojë me Napolin
Menaxheri i tij tha se Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli pasi të përfundojë sezoni, por gjërat duket se kanë ndryshuar totalisht në orët e fundit. Mediat italiane raportojnë se presidenti i të kaltërve, Aurelio de Laurentis, mund të bllokojë largimin e mbrojtësit shqiptar, duke parë formën e jashtëzakonshme që po kalon ai pas ardhjes së Xhenaro Gatuzos në stol. Trajneri dhe presidenti kanë folur me njëri-tjetrin dhe janë të gatshëm që t'i japin besim kapitenit kuqezi edhe për sezonet e ardhshme, sepse duket se ai po gjen nivelin e mëparshëm dhe po ndihmon skuadrën italiane që
të arrijë rezultate pozitive. Nuk përjashtohet mundësia që agjenti i Hysajt, Mario Xhufredi, të bisedojë me drejtorin Xhuntoli për të hedhur firmën në kontratën e re.
KONTRATA - Elseid Hysaj ka kontratë me Napolin deri në vitin 2021 dhe nëse do të qëndrojë, atëherë duhet që të rinovojë. Në
të kundërt mund të largohet pas një viti me kosto 0. Vetë lojtari tha pas ndeshjes se ndihet mirë te Napoli dhe mund të ulet në tryezë me drejtuesit për të folur për një rinovim të mundshëm. Me Gatuzon, Hysaj duket i rilindur dhe po jep kontribut si në krahun e majtë, ashtu edhe në të djathtë. Elseid
Hysaj kushton 13 milionë euro dhe kartoni i tij ka pësuar një rënie pas fillimit jo të mirë të sezonit me ish-trajnerin Ançeloti. Ky i fundit e nxori jashtë planeve duke thënë se nuk e preferonte dhe filloi t'i jepte besim Di Lorencos. Por sot gjithçka ka ndryshuar dhe Hysaj po aktivizohet rregullisht në të dy krahët e mbrojtjes duke parë edhe kalendarin e ngjeshur që ka pasur skuadra për shkak të shtyrjes së kampionatit prej Koronavirusit. Në këtë sezon Hysaj ka luajtur 19 ndeshje për 1400 minuta dhe ka shënuar 1 gol. Ai është ndëshkuar me 3 kartonë të verdhë.