Notat e skuadrave
PARTIZANI 8 – Bind me lojë dhe gola, respekton veten dhe mbi të gjitha pastërtinë e garës. Të kuqtë shkëlqejnë ndaj Vllaznisë, në një ndeshje ku u mjaftonte edhe një pikë për të qenë larg zonës “play out”. Partizani e zgjidhi shumë shpejt dhe pasi shënoi dy gola në pjesën e parë, arriti të trefishonte në të dytën. Solomon, Melo dhe Mala u bënë protagonistë në një takim ku shanset ishin për gola të tjerë.
LAÇI 8 – Bën detyrën ndaj një Tirane që kishte ardhur e relaksuar në Laç. Të besuarit e Armando Cungut treguan shpirt të lart gare, paçka se e kishin siguruar pjesëmarrjen në Europë që në javën e kaluar. Këtë herë kurbinasit ndihmuan golashënuesin e tyre më të mirë, Kirian Nuabueze, të shënonte dy gola dhe të hipotekonte “Këpucën e Artë”. Një sezon fantastik dhe mbi të gjitha historik për Laçin, që për herë të dytë në historinë e tij, e mbyll kampionatin në vendin e tretë.
BYLISI 7 – Nuk është ajo skuadra e zakonshme që imponohet me lojë, por gjithsesi ia del të fitojë ndaj gjirokastritëve dhe të sigurojë qëndrimin në Superiore një javë para fundit të kampionatit. Penalltia e Hidit dhe mbi të gjitha goli i Qardakut qetësuan Bylisin.
TEUTA 7 – Vuan jo pak në Vlorë, por forma e mirë e Lorenco Vilës e ndihmon për të marrë një trepikësh të artë, që i siguron Europën edhe pa pasur nevojën e fitimit të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e Martinit u godit dy herë nga Flamurtari, por besoi deri në fund dhe fitoi.
SKËNDERBEU 6.5 – I përgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” Kukësit, por nuk merr më tepër se një pikë, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga një vend që mund të kapte zonën europiane dhe të shlyente një vit tjetër nga dënimi ekstrem. Super-Koliçi e shpëtoi disa herë ndaj Kukësit.
KUKËSI 6.5 – Sa shumë raste të shpërdoruara ndaj Skënderbeut! Ekipi i Shehit nuk ishte aspak i qetë, edhe pse krijoi pa fund. Shkurtaj & CO kanë humbur shënjestrën në këtë fundsezoni zhgënjyes.
LUFTËTARI 4 – Godet tri herë shtyllën në Ballsh dhe zhvillon ndoshta një nga ndeshjet më të mira në transfertë të këtij sezoni, ku nëse do të ishte pak më e kujdesshme në mbrojtje, do të kishte dalë me pikë.
FLAMURTARI 4 – Ia vështirëson së tepërmi Teutës, madje nëse Ribaj do të shënonte nga penalltia kur ndeshja ishte 2-2, atëherë do të flisnim ndryshe sot. Vlonjatët meritojnë komplimente për lojën, duke mos i hapur rrugë asnjë kundërshtari dhe për më tepër me arbitrat kundër.
TIRANA 4 – Një ndeshje “qejfi” në Laç, ku në fund si kurrë më parë Emanuel Egbo flet për gjykimin. Humbja nuk ia prish humorin gjithsesi ekipit bardheblu, që të mërkurën do të kurorëzohet kampion.
VLLAZNIA 4 – Duhet t’i luante të gjitha “kartat” për të marrë pikët maksimale ndaj Partizanit, por u dorëzua shumë shpejt, duke zhgënjyer totalisht. Në fund merr si faturë zonën “play out”, ku i duhet të luajë një finale me Besëlidhjen ose Pogradecin për qëndrimin në elitë.