Imobile prek “Këpucën e Artë”, Strakosha: Nuk i dëgjoj kritikat
Lacio dridhet vetëm për pak minuta, ku i nevojitet Thomas Strakoshës të bëjë një mrekulli, ndonëse nuk shmang disavantazhin, por më pas merr lojën në dorë dhe përmbys duke ngrirë shifrat finale në 51. Por nëse portieri i Kombëtares shqiptare bën heroin dhe ndihmon që të kaltrit të kapin Atalantën në kuotën e 75 pikëve në renditje, bomberi Çiro Imobile vendos që të rikthehet të shënojë me breshëri dhe tashmë e sheh “Këpucën e Artë” në Itali dhe atë të Europës shumë pranë. Lideri i sulmit të Lacios realizon një tripletë, duke nisur spektaklin personal në minutën e 38-të me penallti, ndërsa kompleton veprën në të 84-ën dhe në të 94-ën (sërish me penallti), duke u ngjitur në kuotën 34 gola, tre më shumë sesa Kristiano Ronaldo. Ndërkohë, mes tyre erdhën edhe realizimet e Milinkoviç-Saviçit (56’) dhe Korreas (62’).
– Nëse Lacio gjeti kurajë për përmbysjen, ishte edhe për meritë të gardianit shqiptar: “Skuadra e meritoi, pasi luajti shumë mirë. Madje, më vjen keq që e pësuam edhe atë gol, pasi për mua penalltia e Veronës nuk duhej akorduar. Gjithsesi, e rëndësishme ishte që fituam dhe thellë madje, pasi kishte kohë që diçka e tillë nuk na ndodhte. Unë dhe Lacio e kishim kokën e lirë? Kritikat nuk i dëgjoj, më saktë nuk më interesojnë. Trajnerët e mi, Inzagi dhe ai i portierëve ma thonë kur gaboj dhe ku duhet të përmirësohem. Është e lehtë që dikush të të kritikojë pas një televizori apo një telefoni, por jam i sigurt që shumë do të donin të ishin në vendin tim. E di! Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij spektakli dhe futbolli është jeta ime. Nëse vendos që të nis të mendoj për një gabim apo për një pritje fantastike, do të humbja përqendrimin në fushë. Nëse nuk qëndroj i qetë gjatë 95 minutave, do humbja qetësinë në lojë”, u shpreh Strakosha pas ndeshjes.
– Media italiane e ka ngritur në qiell 24vjeçarin pas paraqitjes me Veronën, duke i dhënë një notë fantastike. “Pas një superpritjeje ndaj Velozos në pjesën e parë dhe një diagonaleje të Borinit dhe një goditjeje me kokë të Salsedos, Strakosha jo vetëm blindoi portën, por tregoi edhe shumë stil në ndërhyrjet e tij. Madje, edhe në lojën me këmbë ishte më i saktë se normalisht”.