Polizoi Arbri ikën nga Bylisi: U largova me ndërgjegje të pastër
Ish-mbrojtësi beratas nuk është më ndihmës i trajnerit Veljko Dovedan
Ndërprerja e kampionatit në muajin mars prej pandemisë prishi jo pak ekuilibrat te klubi i Bylisit. Përveç problemeve me disa lojtarë të huaj, por edhe largimeve të rëndësishme si qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj dhe sulmuesi Saliu Guindo, lëvizje pati edhe në stafin teknik. Polizoi Arbri nuk është më pjesë e Bylisit si ndihmës i Veljko Dovedan. Lajmin e konfirmoi vetë beratasi gjatë një prononcimi për "Panorama Sport", ku komentoi edhe ecurinë e skuadrës. Arbri nuk bëri polemika për këtë largim pas vetëm tre muajsh në Ballsh. Largimi i tij nga stafi teknik ishte i dyti pas zv.trajnerit të mëparshëm, Agim Meta. Ky i fundit sikurse dhe Arbri janë larguar në heshtje dhe pa asnjë informim zyrtar nga ana e klubit mallakastriot, duke lënë pas hije dyshimi. Megjithatë, është vetë ish-mbrojtësi që sqaron gjithçka. Deri më tani ai ka qenë pjesë e stafit teknik të Luftëtarit dhe Bylisit, duke punuar fillimisht me Gentjan Mezanin, e më pas me Dovedan.
NDARJA
"Këto janë gjëra që ndodhin në futboll dhe në karrierën e një trajneri. Ndodh sikurse në një lojë. Në fillim rezultati është i bardhë, ndërsa në fund nuk dihet kush shënon golin e fitores. Unë nuk dua të komentoj asgjë më shumë për këtë largim, që erdhi thjesht për arsye personale, edhe pse periudha gati tremujore që kalova në Ballsh, për mua ishte e shkëlqyer. Kjo lidhet më së shumti me marrëdhëniet që kam pasur me futbollistët dhe tifozët, por pse jo dhe me presidentin Kapllanaj. Kam punuar me përkushtim. Nuk mund të flas për ndarje financiare", ka thënë fillimisht Arbri, për të bërë një koment edhe për ecurinë e ballshiotëve. "Me bindje të plotë them se Bylisi këtë sezon meritonte një vend në Kupat e Europës. Ekipi kishte një grup futbollistësh të talentuar që meritonin të ishin në pesë skuadrat më të mira". Në fund, Arbri foli edhe për planet që ka. "Unë, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes sime Arbri, tani jemi të fokusuar në punën e nisur për të hapur një cikël të ri me stërvitjen e futbollistëve të rinj në qytetin e Beratit. Puna e nisur nga babai im prej disa viteve, ka marrë jetë dhe tani ka një fluks regjistrimesh. Me eksperiencën tonë po i shërbejmë të ardhmes së futbollit beratas".