PROVOKIMI Ideja në Itali, “play off” për të ndalur Juventusin
Seria A është prej vitesh nën regjimin e një skuadre prej nëntë vitesh dhe Juventusi nuk ka ndërmend që të bëja hapa falsë. Shumë skuadra të tjera kanë idenë për të futur një tjetër formulë në kampionatin italian, në mënyrë që të ketë pak më shumë rivalitet dhe interes për të mësuar cili do të jetë kampioni. Hipotezat ishin duke marrë jetë gjatë periudhës së pezullimit të kampionatit, kur nuk ekzistonte asnjë ide se si mund të përfundonte ky kompeticion. Por edhe në emergjencën më të madhe, në fund gjithçka vazhdoi sipas traditës. “Play off” dhe Seria A janë dy botë shumë larg njëra-tjetrës dhe duket se nuk do të takohen kurrë. Por sigurisht që disa skuadra preferojnë të jetojnë një sezon më të luftuar dhe pa sigurinë që Juventusi do të fitojë sërish në fund. Tifozët që nuk kanë fanellat bardhezi në trupin e tyre, e duan diçka të tillë. Pas 9 vitesh radhazi ku kampionatin e fiton e njëjta skuadër, ka lindur ideja për të pasur një kampionat më të ekuilibruar. Në SHBA nuk janë menduar dy herë për këtë formulë, sepse “play off”-i është normë. Edhe në Europë shumë shtete të ndryshme dhe kampionate të një niveli të lartë si Polonia, Andorra, Bjellorusia, Bullgaria, Qipro, Uellsi, Maqedonia dhe të tjera kanë vendosur “play off”-in si mënyrën e vetme për të pasur sa më shumë rivalitet dhe emocione deri në fundin e kampionatit. Por në Serinë A kjo duket se nuk do të ndodhë dhe skuadrat që duan të shohin rrëzimin e Juventusit bëjnë mirë të forcohen dhe ta pengojnë me mënyrën aktuale dhe formulën që ekziston. Në të kundërt, do të vazhdojnë të numërojnë sukseset radhazi të “Zonjës së Vjetër”.