Uoker sprinteri i Premier Ligës, regjistroi shpejtësinë 37.8 km/h
Mbrojtësi i Sitit lë pas "shigjetën" Adama Traore
Kajl Uoker është zyrtarisht futbollisti më i shpejtë i Premier Ligës këtë sezon, duke thyer rekordin e Adama Traoresë. Ajo që bie në sy në klasifikimin e sprinterëve më të mirë në Angli, është se katër nga pesë shpejtësitë më të larta këtë kampionat janë regjistruar pas rinisjes së sezonit prej pandemisë. Mbrojtësi i djathtë i Sitit, Uoker, regjistroi shpejtësinë 37.8 km/h në ndeshjen kundër Çelsit muajin e shkuar. Dhe kjo shpejtësi mjaftoi për të mposhtur shigjetën e Uolvesit, Adama Traore, i cili shënoi shpejtësinë 37.7 km/h në ndeshjen e së dielës kundër Çelsit, por nuk i mjaftoi për të zënë vendin e parë. Talenti i Mançester Junajtid, Mejson Grinud, bëri një sezon të paharrueshëm, duke shënuar gola shumë të çmuar për skuadrën e tij, por regjistruar edhe një rekord personal shpejtësie në ndeshjen kundër Evertonit, 37.59 km/h. Kjo shpejtësi mbetet më e larta përpara se të ndërpritej kampionati dhe është e njëjta që arriti edhe Trezege i Aston Vilës dhe Aron Uan-Bisaka (Man. Junajtid): egjiptiani e arriti këtë shpejtësi kundër Liverpulit këtë muaj, ndërsa mbrojtësi i "Djajve" javën e shkuar kundër Uest Hemit. Kaglar Sëjynçy, mbrojtësi i Lestërit (37.54 km/h), Meitlend-Najls i Arsenalit (37.44 km/ h) dhe Shejn Long i Sauthemptonit (37.35 km/h) ishin tre lojtarët e tjerë që kaluan barrierën e 37.3 km/h. Mesfushori i Junajtid, Fred, regjistroi shpejtësinë 37.2 km/h në orë kundër Evertonit më 15 dhjetor dhe renditet në vend të 9-të, ndërsa ai i Sitit, Fill Foden, mbyll 10-shen e parë me sprintin që bëri ndaj Aston Vilës në tetor (37.1 km/h).