Kapllanaj: Pas Tiranës vendosim të ardhmen me Dovedanin
Bylisi, presidenti i jep besim trajnerit boshnjak
Bylisi është përqendruar te sfida me Tiranën që do të luajë sot në kryeqytet. Ballshiotët e siguruan mbijetesën që në ndeshjen e javës së shkuar duke mundur Luftëtarin apo dhe duke përfituar nga humbja e skuadrës së Vllaznisë me Partizanin. Tashmë ballshiotët, nisur edhe nga periudha e merkatos së verës që do të jetë më e shkurtër dhe fillimi i sezonit të ri nuk premton, kanë nisur nga puna për sezonin e ardhshëm. Presidenca ballshiote pritet që të forcojë skuadrën, por me shumë gjasa gjithçka do të nisë duke siguruar pankinën, ku trajneri Dovedan pritet që të konfirmohet. Kjo, edhe në bazë të deklaratave që ka dhënë për gazetën numri një i Bylisit. "Dovedan? Trajneri është familjarizuar në Ballsh, gëzon respektin në klub dhe normalisht që dëshira për bashkëpunim është dypalëshe. Madje, së bashku kemi ndërtuar baza të shëndosha bashkëpunimi, pasi ai ndjek jo vetëm ekipin e parë, por edhe akademinë. Gjithsesi, gjithçka pas Tiranës pasi kemi edhe një ndeshje përpara dhe pastaj do të vendosim për shumë gjëra në skuadër", tha presidenti Kapllanaj për gazetën. Ndërkohë, ballshiotët e kanë vlerësuar edhe sfidën e fundit e për më tepër që është një duel prestigji me Tiranën që kurorëzohet si kampione. Bylisi do të luajë duke respektuar garën dhe, pse jo, për të tentuar edhe që të dalë me pikë. Në sfidën e sotme, ballshiotët do të hedhin në fushë një skuadër njësoj si në javët e tjera, pra më të mirët që ka aktualisht në dispozicion trajneri. Të paktën, nga sa është konstatuar në stërvitjen e fundit.