Partizani, në Korçë edhe... për pazar
Të kuqtë duan trajnerin Daja dhe disa lojtarë
Partizani e mbyll këtë sezon të stërzgjatur në transfertën e Korçës. Ndonëse bëhet fjalë për dy nga skuadrat pretendente në sezonet e fundit, dueli i sotëm ka më shumë vlera statistikore, pasi Skënderbeu dhe Partizani kanë mbetur pa Europë këtë verë. Edicioni pas titullit kampion ka rezultuar një dështim ekzemplar për "demat", gjë e cila është pranuar edhe nga vetë familja e kuqe. Në këto kushte, Partizani e ka të detyrueshëm ndryshimin rrënjësor, projekt i cili pritet të marrë jetë që nga ndeshja përmbyllëse e kampionatit të 81-të të Kategorisë Superiore. Skënderbeu-Partizani luhet thjesht për prestigj, por ka edhe prapavijë dhuratash apo lajme gjyqesh ndërkombëtare. Praktikisht, të dyja ekipet janë pa Europë, por mund të ndodhë edhe ndonjë mrekulli, që mund të prodhohet nga Komisioni i Etikës, që po heton ndeshjen e Kupës mes Bylisit dhe Tiranës. Gjithsesi, Partizani udhëton sot drejt Korçës më shumë për të bërë pazar dhe, pse jo, në kthim të shtojë numrin e pasagjerëve në autobus. Skënderbeu shikohet si tregu i preferuar i të kuqve për merkaton e verës, ndonëse aktualisht e kanë të bllokuar nga FIFA, por që presin ta zhbllokojnë brenda gushtit. Të gjitha rrugët të çojnë tek Ilir Daja për trajnerin e ri të Partizanit. Në krye të pankinës korçare 53-vjeçari sot do të drejtojë ndeshjen e fundit para se të marrë frenat e "demave". Përveç timonierit të ri, në listën e pazarit të Partizanit në Korçë janë edhe emrat e disa futbollistëve, të cilët janë piketuar me kohë për përforcimin e skuadrës. Bajram Jashanica, Asion Daja, por edhe dy sulmuesit e krahëve, Dejvi Bregu dhe Nazmi Gripshi, shihen si përforcime të mundshme nga tregu korçar. Pjesë e pazarit të Partizanit mund të jenë edhe personazhe të tjera që kanë luajtur me Skënderbeun dhe aktualisht janë lojtarë të lirë. Pikërisht bëhet fjalë për mbrojtësin Gledi Mici dhe mesfushorin Sabjen Lilaj.