Siti-Real, duel spektakolar mes dy “gjenive” Kros dhe De Bryjne
Mesfushorët mund të vendosin fatin e kësaj ndeshjeje
Mançester Siti-Real Madrid është një duel spektakolar në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve. Brenda kësaj sfide ka një sfidë mes dy mesfushorëve Kevin de Bryjne dhe Toni Kros, të cilët kanë bërë histori në vitet e fundit në futbollin europian. Dy gjeni me topin në këmbë, dy "kirurgë" në pasime dhe spektakolarë në asiste.
PEP KROSIN DASHURON
- Pep Guardiola bëri gjithçka që mesfushori gjerman të qëndronte te Bajerni i Mynihut, por Kros e kishte marrë vendimin e tij për ta provuar veten në Spanjë me Realin e Madridit. Aty fitoi praktikisht gjithçka dhe u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit madrilen. Nën drejtimin e Zinedin Zidanit ishte lojtari që udhëhoqi mesfushën në fitoren e 3 Champions-ave radhazi.
Në këtë sezon të kampionatit spanjoll gjithashtu ishte shumë i rëndësishëm duke qenë mesfushori me pasimet më të sakta në kampionat. Prezenca e tij ishte frymëzuese për të gjithë skuadrën, pasi me qetësi çonte drejt portës kundërshtare Benzemanë dhe të tjerët. Në këtë sezon
ishte Pep Guardiola ai që mund të futej në mes të raportit të Krosit me Zinedin Zidanin, i cili është korrekt dhe me respekt reciprok nga të dyja palët. Në ndeshjen mes Realit të Madridit dhe Sitit, e vlefshme për fazën e 1/8-ave në Ligën e Kampioneve, Kros dhe Pep shkëmbyen disa
shikime "dashurie" në korridoret e sallës së konferencave. Zidan e la në stol gjermanin dhe kjo u interpretua si një krisje e raportit mes tyre dhe Kros u përfol se mund të kalonte te Mançester Siti. Por tani ai është rivali më i madh dhe miku i Pep Guardiolës, i cili do të tentojë të ndihmojë
Realin që të kualifikohet. DE BRYJNE SPEKTAKOLAR - Por pavarësisht se trajneri i Sitit ka pikë të dobët Toni Krosin, në skuadrën e tij ka një gjeni si Kevin de Bryjne, fiksim i vjetër i Realit të Madridit. Mesfushori belg vjen ndaj Realit në një formë të jashtëzakonshme. E mbylli kampionatin anglez me 20 asiste në sezon duke barazuar rekordin historik të vendosur nga Henri. Duke qenë se Serxho Aguero me shumë mundësi do të mungojë në këtë duel (e konfirmoi Guardiola), rreziku më i madh për Realin vjen nga De Bryjne. Ai është futbollisti që prish ekuilibrat në momente të caktuara të ndeshjes dhe me një pasim ose një goditje dënimi mund të zgjidhë sfidën. Duke parë që kjo ndeshje do të vendoset nga detajet, sigurisht që forma e dy mesfushorëve është e rëndësishme për fatin e saj. Kros-De Bryjne është një duel spektakolar.