Presioni nga federatat, KOKSH mbledh komitetin
Brenda javës pritet të njoftohet data e asamblesë
Siç dihet, më 22 korrik, me iniciativë të Fed eratës Shqiptare të Futbollit, u zhvillua një takim mes 15 prej federatave më të rëndësishme olimpike të vendit, ku përveç futbollit morën pjesë përfaqësues të basketbollit, peshëngritjes, mundjes, notit, boksit, xhudos, qitjes, pingpongut etj. Një takim ku u diskutua zbatimi i rezolutës së miratuar në asamblenë e përgjithshme të jashtëzakonshme të datës 9 shkurt 2020. Kujtojmë se në asamblenë e muajit shkurt ishte vendosur që pas olimpiadës do të vijohej me ndryshimet statutore, për të shkuar më pas në zgjedhje brenda vitit 2020, e për t'i dhënë fund kështu ngërçit institucional që prej kohësh e ka pushtuar institucionin e olimpizmit shqiptar. Ndërkohë që pandemia solli shtyrjen e Lojërave Olimpike, u pa një tendencë nga KOKSH për të përfituar nga kjo situatë, duke u përpjekur kështu të shmangej zbatimi i rezolutës. Kjo sjellje e Komitetit Olimpik ishte edhe shkaku kryesor i mbledhjes së drejtuesve të federatave, të cilët ranë dakord dhe vendosën që t'i dërgojnë një letër presidentit të KOKSH-it, Viron Bezhani.
Këtij të fundit iu kërkua zyrtarisht që të thërrasë asamblenë brenda datës 30 gusht, ndërsa iu vendos afat që kërkesa e tyre të marrë përgjigje brenda 5 ditëve. Megjithatë, Komiteti Olimpik tentoi sërish që të shmangej, ku fillimisht u përpoq të mos e protokollojë kërkesën e federatave, por presioni i këtyre të fundit bëri që KOKSH më pas të tërhiqet. Ndonëse afati 5-ditor nuk u zbatua, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it u mblodh mesditën e djeshme duke zhvilluar një takim "online" duke shqyrtuar kështu kërkesën e federatave. Burime pranë Komitetit Olimpik bëjnë të ditur se brenda 3-4 ditëve të gjitha federatat do të njoftohen me anë të postës elektronike, ku do t'u kërkohet që të bëjnë propozimet e tyre, ndërsa gjithashtu do të shpallet edhe data e asamblesë statutore. Më në fund duket se po hidhet edhe hapi i parë për zgjidhjen e situatës në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Një institucion që prej kohësh prodhon vetëm skandale, teksa lufta mes presidentit Viron Bezhani dhe sekretarit të përgjitshëm Stavri Bello shkoi deri në prokurori. Me presidentin që ka denoncuar sekretarin për vjedhje dhe shpërdorim detyre.