Mirdita Volej, lojtaret: Klubi nuk na ka paguar
Trajnerja Hoxha qetëson: Vonesa, për shkak të virusit
Sezoni 2019-2020 për Mirditën në volejboll për femra deri në momentin e ndërprerjes ishte vërtet fantastik. Një ekip që riktheu edhe një herë entuziazmin e viteve 2011 dhe 2012, duke sjellë qindra tifozë çdo javë në pallatin e sportit "Ariana Arapi" të qytetit të Rrëshenit. Pasi fitoi Kupën e FSHV-së, Mirdita kryesoi bindshëm kampionatin (11 fitore në 11 ndeshje) që prej javës së parë e deri në çastin kur virusi "COVID-19" bllokoi gjithçka për sa u përket lojërave me dorë. Ndërsa me vendimin e dhënë nga Federata Shqiptare e Volejbollit, Mirdita u konsiderua fituese e klasifikimit, duke pasur kështu të drejtën e pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Mirëpo, ndonëse vajzat e bënë më së miri detyrën e tyre në parket, ato kanë marrë si "dhuratë" nga klubi mbajtjen e rrogës së muajit prill. Vetë lojtaret e skuadrës veriore kanë bërë të ditur në gazetën "Panorama Sport" shqetësimin e tyre për këtë situatë, teksa deklarojnë se klubi nuk po e respekton marrëveshjen. Volejbollistet shprehen kështu në ankesën e tyre të përbashkët: "Në bazë të marrëveshjes, klubi duhej të na paguante 9 rroga dhe 1 tjetër shtesë nëse fitonim titullin, por deri tani kemi marrë vetëm 8 paga. Klubi nuk na jep asnjë sqarim, për detyrimin që kanë karshi nesh. Trajnerja, e cila ishte urë lidhëse mes nesh dhe klubit, shmanget. Nga ana tjetër, bashkia kërkon ta kalojë topin te sponsori, ndërsa ky i fundit bën të ditur se i ka derdhur prej kohësh pagat në bashki. Në të njëjtën situatë me ne është edhe zv.trajneri, i cili ka sakrifikuar duke ardhur që nga Kosova, por edhe ai nuk e ka marrë rrogën që i takon. Kemi bërë sakrifica duke u stërvitur në të ftohtë dhe në mes të vapës, e nuk e meritojmë një trajtim të tillë", tregojnë lojtaret e Mirdita Volej. Një situatë vërtetë për të ardhur keq kur shikon që bëhet fjalë për volejbolliste që i kanë dhënë shumë sportit të rrjetës në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, madje disa prej lojtareve kanë kontribuar edhe për fanellën e ekipit tonë kombëtar.
REAGIMI I TRAJNERES
Lidhur me këtë problematikë u prononcua edhe trajnerja Lindita Hoxha, e cila përpiqet ta qetësojë skuadrën, duke u shprehur se vonesa në likuidimin e pagës ka ardhur për shkak të situatës me virusin "COVID-19": "Klubi ka qenë gjithnjë shumë korrekt për sa u përket pagesave. Lojtaret nuk kanë pse të shqetësohen, pasi do ta marrin edhe rrogën e fundit që ende nuk u është dhënë. Do të paguhen për të gjithë sezonin, megjithëse nuk
kanë dalë në stërvitje për shkak të pandemisë. Kjo vonesë ka ardhur për shkak të situatës së krijuar me virusin, duke qenë se edhe kryetari i bashkisë ka qëndruar në karantinë. Unë vetë kam biseduar me të dhe më ka komunikuar se të gjitha vajzat do të likuidohen. Bashkia jonë klasifikohet në bashkitë e kategorisë së tretë dhe kuptohet që nuk kemi buxhetet e qyteteve të mëdha. Vajzat kanë të drejtën e tyre, por mendoj që situata nuk është aq alarmante, për faktin se sezonit nuk i shkuam deri në fund", thotë trajnerja Hoxha, e cila më pas shpreh pakënaqësinë e saj edhe për vendimin e marrë nga Federata Shqiptare Volejbollit, në lidhje me verdiktin për kampionatin: "FSHV-ja i merr ato vendime të 'famshme' sipas qejfit, por nga ana tjetër, nuk jep asnjë lek për këto ekipe", përfundoi trajneria e Mirditës.